Fisnik Millaku dhe Drita Millaku

Burri i deputetes së LVV-së, zyrtar i Policisë së Kosovës, gjobitet për ahengun familjar

Fisnik Millaku zyrtar i Policisë së Kosovës si staf civil, është gjobitur me 200 euro për shkak të organizimit të ahengut familjar për fejesën e djalit të tij.

Finsik Millaku është bashkëshorti i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Vesel Gashi.

“Po mund të ju konfirmoj se është gjobitur gjatë ditës së sotme zyrtari që pyesni, është gjobitur pasi ka organizuar një aheng në një fshat të Klinës në kundërshtim me masat për pandeminë”, tha Gashi për KALLXO.com.

Përveç Fisnik Millakut gjobë i është shqiptuar edhe një familjari tjetër, pasi ahengu ishte mbajtur në një shtëpi të përbashkët në fshatin Ujmir të Komunës së Klinës.

Në media ka qarkulluar gjatë ditës së sotme lajmi se për ahengut familjar të djalit të deputetes Drita Millaku, është gjobitur restoranti, ndërsa në fakt ahengu është mbajtur në një shtëpi familjare në Klinë.

Qeveria e Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, e cila udhëhiqet nga LVV, subjekt të cilit i takon edhe Drita Millaku, kanë marr vendime që për shkak të situatës me pandeminë COVID-19 të ndalohen të gjitha ahengjet, dasmat e organizimet tjera që mund të jenë më masive.