
Foto: ZKM
Burokracia e Qeverisë Kurti, Kosova pa atashe të Mbrojtjes në Gjermani, Turqi, Itali e Japoni
Një procedurë e tejzgjatur e Qeverisë së Kosovës ka lënë pa akreditim atashetë e Mbrojtjes në katër prej vendeve me të cilat Kosova ka bashkëpunim serioz në fushën e mbrojtjes dhe në ushtri.
Burime të KALLXO.com kanë konfirmuar se që nga 15 janari 2025, Kosova ka tërhequr atashetë e Mbrojtjes nga Turqia, Gjermania, Italia dhe Japonia.
Ky veprim ka ndodhur për shkaqe procedurale të cilat lidhen me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila për 29 ditë nuk është përgjigjur në kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për të dërguar kërkesat për akreditim të atasheve në vendet përkatëse.
KALLXO.com ka siguruar korrespondencën me të cilën ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci i kërkon ministres së Punëve te Jashtme, Donika Gërvallës që në afat sa më të shpejtë të inicojë procedurat e akreditimit të atasheve ushtarakë pranë shteteve.
Në korrespondencën e datës 27.12.2024, ministri Maqedonci e njofton ministren Gërvalla për tërë ecurinë e procesit të përzgjedhjes së atasheve.
Të dhënat tregojnë që Gërvalla ishte njoftuar se mandati i atasheve aktualë përfundonte me datë 15 janar, mirëpo shkresa për atashetë e rinj nuk është dërguar deri më datë 26 janar për qeveritë partnere.
Sipas ligjit, Ministria e Mbrojtjes përzgjedhë atashetë e Mbrojtjes, ndërsa Minitria e Jashtme dërgon njoftimet dhe kërkesat për akreditim tek vendet të cilat kanë pranuar atashetë e mbrojtjes.
Konkursi për përzgjedhjen e katër atasheve të Mbrojtjes në këto shtete ishte hapur në tetorin e viti 2024. Komisioni i Ministrisë së Mbrojtjes gjatë konkursit kishte pranuar nëntë aplikacione, ku pesë nga kandidatët kishin aplikuar në dy pozita.
Para përzgjedhjes së katër kandidatëve për atashe, kishte pasë edhe kohë të ankesës për aplikantët që nuk janë pranuar, por komisioni nuk kishte pranuar asnjë ankesë për procedurat e përzgjedhjes.
Rregullorja e përzgjedhjes për atashe të Mbrojtjes precizon se kandidati duhet të jetë pjesëtari aktiv i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili shërben në misionet diplomatike të Republikës së Kosovës, si përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Kjo rregullore tek përzgjedhja e atasheve precizon të gjithë procesin se si duhet të zgjidhet një atashe.
“Ministri i Mbrojtjes emëron Bordin Përzgjedhës për shqyrtimin dhe propozimin e kandidatëve për detyrën e AM dhe PU. Bordi përzgjedhës përbëhet Kryesuesi i Bordit, i cili përzgjidhet nga Ministri i Mbrojtjes dhe dy anëtarë të tjerë, të cilët propozohen nga KOMFSK. Ministri, në koordinim me KOMFSK, i propozon Ministrit të Punëve të Jashtëm njërin nga kandidatët e përzgjedhur për inicim të procedurave të akreditimit dhe emërimit”- thuhet në rregulloren për përzgjedhjen e atasheve.
KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Zyra e Kryeministrit Albin Kurti për këtë çështje, mirëpo përkundër insistimit për tri ditë përgjigjet nuk janë pranuar.
Atashetë e Mbrojtjes zgjidhen për mandat 3-vjeçar të shërbimit në vendin e caktuar. Pozicionet e tyre janë kruciale në komunikimin në fushën e mbrojtjes në mes shteteve.
Ata janë përgjegjës për shkëmbimin e informacioneve konfidenciale në mes ushtrive partnere, përpos kësaj ata koordinojnë bashkëpunimet ushtarake përfshirë çështjet e blerjes së armëve dhe çështjet e trajnimeve.