Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Burim Berisha tregon se pse Fushë Kosova nuk ka ligj të veçantë si Obiliqi

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Fushë Kosovën, Burim Berisha, ka thënë se deri më tash kanë tentuar disa herë që edhe Fushë Kosova të ketë ligj sikurse Obiliqi.

Por, Berisha thotë se nuk kanë arritur asnjëherë pasi nuk kanë pasur përkrahjen e nivelit qendror.

“KEK-u ka bërë dëme mjedisore në Fushë Kosovën. Ne kemi provuar që ta fushim edhe Fushë Kosovën në ligj, por jam skeptik se mund ta bëjmë. Kemi provuar e kemi marrë vendime në Kuvend, por nuk besoj se do të arrijmë. Do të provojmë edhe me nivelin qendror por dihet si shkojnë ato procese. KEK-u është një shtyllë dhe bën disa dëme. I kam diskutuar vite e vite temat e ligjit për Fushë Kosovën”, ka thënë Berisha kur është pyetur se a do të punojë që t’u krijojë qytetarëve të Fushë Kosovës benefite nga mihjet e KEK-ut.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Fushë Kosovës, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Fushë Kosovë: Burim Berisha nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Enver Bajçinca nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Burim Berisha ka siguruar 49,72% të votave, kurse Enver Bajçinca nga LVV ka marrë 25,58%.