Burim Berisha i quan shpifje akuzat e banorëve të Sllatinës së Madhe për rrjedhën e kanalizimit
Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, i ka quajtur të pavërteta, shpifje dhe mashtrime pretendimet e banorëve të Sllatinës së Madhe se kanalizimi që rrjedh edhe nga shtëpia e kryetarit po u kalon pranë vendbanimeve të tyre për shkak të mospërfundimit të rrjetit.
Berisha në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se bëhet fjalë për 3 shtëpi që sipas tij “po bëjnë politikë”.
“Nuk është e vërtetë se ka kanalizim prej shtëpisë sime, krejt shpifje e mashtruesve të VV. Ata ka vite që kanë kanalizim, janë nja 3 shtëpi që po bëjnë politikë. Kaq. Nuk kam çka rregulloj aty më, asgjë nuk do rregulloj, është gjë e shpikur”, thuhet në përgjigjen e kryetarit Berisha për KALLXO.com.
Banorë të reth 10 shtëpive në fshatin Sllatinë e Madhe të Fushë-Kosovës thonë se tash e disa vite janë në hall me rrjedhën e kanalizimit të papërfunduar.
Bujar Krasniqi, banor i fshatit, thotë për KALLXO.com se me problemin ballafaqohen rreth 7-8 vite.
“Në lagjen tonë jemi diku 10 shtëpi. Shtëpitë janë të lidhur në atë rrjet të kanalizimit, mirëpo ai rrjet nuk është vazhduar deri në fund ku duhet, por përfundon në një pjesë ku rrjedh tërë kohën. Kjo punë është qe 7-8 vjet. Edhe shtëpia e kryetarit të komunës është aty, në atë rrjedhë vijnë edhe ujërat e zeza nga shtëpia e kryetarit”, shprehet ai, duke shtuar se shtëpia e kryetarit nuk preket nga kundërmimi.
Krasniqi thotë se shtëpitë e tyre janë të kyçura në kanalizim, por për shkak se nuk është përfunduar në tërësi, rrjedha u kalon kah shtëpitë.