Burgu i torturave në Prishtinë bëhet muze

Më shumë se tre vjet pas mbylljes, burg famëkeq i Prishtinës do të rihapet përsëri, jo për të strehuar të dënuar, por për të nxjerrë në pah vuajtjet e të burgosurve politikë të kohës Kosova ishte nën sundimin serb, raporton Balkan Insight.

 

Nata e 2 nëntorit 1984 ishte një natë e acartë, kur një i ri shqiptar i Kosovës i quajtur Bujar Zeneli u dërgua në burgun e Prishtinës.

“Isha 17 vjeç kur u arrestova dhe që natën e parë filluan torturat. Më arrestuan për propagandë armiqësore kundër shtetit”, tha për BIRN Zeneli, i cili në atë kohë ishte nxënës në shkollë të mesme.

“Përjetova shumë tortura që në fillim. Ishte një dimër i egër dhe përveç mungesës së kushteve elementare, përballeshim edhe me tortura në baza ditore. Prej asaj kohe, ky burg për mua portretizon brutalitetin”, tha ai.

Burgu i Prishtinës, në qendër të kryeqytetit të Kosovës, u ndërtua në vitin 1951 në epokën komuniste dhe u përdor kryesisht për të mbajtur të burgosur politikë, si Zeneli kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë. Ai u mbyll në vitin 2016 pas ankesave të vazhdueshme për kushte të këqija në këtë institucion e paraburgimi.

Por javën e kaluar, qeveria e Kosovës vendosi ta rihapë atë për vizitorët dhe të fillojë transformimin e tij në një muze. Qeveria ngarkoi një ekip zyrtarësh nga Ministria e Kulturës, përfshirë ekspertë të trashëgimisë kulturore, që të analizojnë atë që nevojitet për infrastrukturën  dhe ta përgatisin ndërtesën për rihapje.

Yll Rugova, zv/ministri i kulturës, në largim, tha për BIRN  se muzeu do të ruajë kujtimet e mijëra të burgosurve politikë.

“Burgu në gjendjen e tij aktuale do të hapet zyrtarisht për publikun më 12 qershor, ditën kur u çlirua Kosova në vitin 1999. Pastaj gjatë një viti, ne planifikojmë të përgatisim të gjithë punën bazë për muzeun”, tha ai.

“Ky burg ishte ndërtuar dhe është relikt i brutalitetit të ministrit të brendshëm jugosllav dhe kreut të policisë sekrete Aleksandar Rankoviç, një figurë e njohur për shtypjen e shqiptarëve, një brutalitet  që vazhdoi deri në vitin 1999, në periudhën e Millosheviçit”, shtoi Rugova.

Rankoviç ishte kreu i agjencisë së sigurimit të Jugosllavisë mes viteve 1944 dhe 1946 dhe më pas shërbeu si ministër i brendshëm dhe zv/president deri në vitin 1966. Ai u akuzua për persekutim dhe burgosjen e padrejtë pa gjyq të njerëzve, si dhe si përgjegjës për mijëra ekzekutime.

Raporte të ndryshme kanë dokumentuar keqtrajtimin e shqiptarëve të Kosovës që mbaheshin në Burgun e Prishtinës.

Në një raport të publikuar në vitin 1997, Amnesty International tha se Besnik Restelica, një 30-vjeçar që u arrestua për terrorizëm nën dyshimin e ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vdiq në një qeli në burg në shkurt 1997. Zyrtarët jugosllavë thanë se ai kreu vetëvrasje, por burimet shqiptare e hodhën poshtë këtë shpjegim, duke pretenduar se ai vdiq si rezultat i torturave ose ishte nxitur të vriste veten për shkak të abuzimit fizik që pësoi.

Amnesty International arriti në përfundimin se “disa faktorë tregojnë se ai ishte keqtrajtuar rëndë pas arrestimit të tij” dhe se kjo ishte pjesë e “një modeli të gjatë dhe të qëndrueshëm të keqtrajtimit të shqiptarëve të akuzuar për vepra  politike”.

Ish të burgosurit do të japin këshilla për eksponatet

Rugova tha se autoritetet do të punojnë me Institutin e Historisë së Kosovës, fakultetin e historisë të Universitetit të Prishtinës dhe Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës që do të krijohet së shpejti për krijimin e muzeut, si dhe do të konsultohen me ekspertë ndërkombëtarë.

“Në lidhje me hapësirën brenda, eksponatet dhe sendet e tjera, vendimet do të merren gjithashtu në bashkëpunim me të burgosur politikë që kaluan kohë pas mureve të këtij burgu dhe përjetuan tortura”, tha Rugova.

Ideja për ta kthyer burgun në një muze erdhi nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës.

Hydajet Hyseni, kreu i shoqatës, tha se muzeu duhet të ketë një qëllim të qartë: “Të kujtojë dhe të dokumentojë vuajtjet e mijëra njerëzve të burgosur dhe luftën e tyre kundër regjimit serb. Në këtë mënyrë ky muze burg do të ndihmojë çdo brez që ta shikojë në një mënyrë tjetër lirinë e tij”, tha Hyseni për BIRN.

“Ky muze do të përfaqësojë rezistencën në emër të lirisë dhe demokracisë dhe do të jetë një homazh për të gjithë ata që rrezikuan jetën e tyre gjatë viteve të shtypjes së vazhdueshme”,shtoi ai.

Ish e burgosura politike Naime Sherifi tha se pavarësisht faktit se të burgosurit në Burgun e Prishtinës ishin kryesisht burra, muzeu duhet të përfshijë edhe historinë e shumë grave që u burgosën për shkaqe politike në Kosovë.

“Unë kalova vetëm dy net atje në vitin 1985 dhe më pas u transferova diku tjetër. Ishte një makth. Dhe tani kjo ndërtesë duhet të shërbejë si kujtesë kolektive për brezat e ardhshëm”, tha Sherifi për BIRN, e cila ishte studente kur u burgos për propagandë armiqësore kundër shtetit jugosllav.

“Deri më tani, gratë e burgosura politike njiheshin më pak. Ky burg duhet t’u japë një vend të veçantë shumë grave që u burgosën dhe u torturuan, sidomos pas viteve 1980. Kjo është mënyra e vetme për të treguar historinë e plotë të asaj që ndodhi pas hekurave të tij”, tha ajo.