Burgu i Prishtinës. Foto: Antigonë Isufi

Burgu i ideve shndërrohet në muze të idealistëve

Me fotografitë e idealistëve për liri, të varura në muret e vjetra të burgut të përndjekjes, idesë dhe rezistencës, ish-burgu i Prishtinës është shndërruar zyrtarisht në muze.

Nën tingëllimën shurdhuese të vrazhdësisë së burgut, muzeu u hap me ekspozitën e cila përmban fotografi të të burgosurve politikë. Ndërtesa përmban brenda mureve të saj narrativën e rezistencës popullore për liri.

Fotografi: Antigonë Isufi

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, tha se ekspozita do të jetë e hapur për të gjithë ata që duan ta kuptojnë historinë e rezistencës politike.

“Burgu i Idealit” hap dyert dhe nuk do të mbyllen më. Do të jenë të hapura për gjithë, për të kuptuar historinë e rezistencës politike,  në këtë qendër hyhej pa e ditur se a do të dilej jashtë apo a do të dilej gjallë,” shtoi ai.

Çeku tha që nga një qendër paraburgimi po e shndërrojmë në qendër dokumentimi të kujtesës tonë kolektive të rezistencës.

Në emër të Shoqatës së të Burgosurve, Hydajet Hyseni tha se duke kthyer burgun në një muze të ri edhe Prishtina bëhet një objekt reflektues e memorial përkujtues. 

“Falim por nuk harrojmë”, tha Hyseni.

Fotografi: Antigonë Isufi

“Në burg shiheshin ëndrrat më të mira, por të rënët nuk na pyesin çfarë ëndrra po shihen tani. Burgu është ferr boshllëk, por burgu nuk është vetëm torturë, çka është tortura mentale e shpirtërore”, shtoi ai.

Në këtë muze do të prezantohen artefakte dhe materiale të trajtimeve të tmerrshme që u janë bërë të burgosurve shqiptarë nga ish-shteti jugosllav dhe më pas ai serb.

Burgu i Prishtinës, në qendër të kryeqytetit të Kosovës, u ndërtua në vitin 1951, në epokën komuniste dhe u përdor kryesisht për të mbajtur të burgosur politikë.

Fotografi: Antigonë Isufi

Ky burg konsiderohej si një prej burgjeve më famëkeqe në të cilin u persekutuan mijëra të burgosur politikë shqiptarë.

Burgu është ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa u mbyll më 2016, pas ankesave të vazhdueshme për kushte të këqija.

Vendimi për shndërrimin e Burgut të Prishtinës në muze është marrë më 2020 nga Qeveria e Kosovës. Ministria e Kulturës ka emëruar ekipin përgjegjës për funksionalizimin dhe menaxhimin e muzeut. 

Orari i vizitave në këtë muze do të jetë nga e marta në të dielën, nga ora 10:00 deri në 19:00.