Burgim dhe gjobë ndaj të akuzuarit për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë në protestat në veri
Lazar Dejanoviq është dënuar nga Gjykata e Prishtinës me 8 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë. Gjykata e Prishtinës për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” i shqiptoi dënim me 8 muaj burgim ndërsa për veprën penale “pjesëmarrja në turme që kryen vepër penale dhe huliganizmi” i shqiptoi dënim me gjobë prej 10,000 euro.
Sipas aktakuzës i pandehuri Lazar Dejanoviq më datë 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjyqtari Valon Kurtaj në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës sot më 16.10.2024.
Po ashtu në seancën e sotme palët bën të ditur se ndaj këtij aktgjykimi nuk do të ketë ankesë andaj ky aktgjykim konsiderohet i formës së prerë.
“Aktgjykimi nga sot e merr formën e prerë pasi që palët kanë hequr dorë nga e drejta e ankimimit”- tha gjyqtari Kurtaj gjatë seancës së sotme.
Kjo çështje penale ka marrë epilog pasi Prokuroria dhe i akuzuari Lazar Dejanoviq kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë. Kjo marrëveshje është aprovuar nga Gjykata.
Në lidhje me protestën e dhunshme në Zveçan, më 11.06.2024 Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit N. O.
Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq janë shpallur fajtorë më 27.02.2024 për pjesëmarrjen në turma në të njëjtën protestë.
Radosh Petroviq u dënua me 6 muaj burgim, por me pëlqimin e të njëjtit ky dënim do t’i kthehet në gjobë në shumën 6 mijë euro.
Ndërkaq, i akuzuari Dushan Obrenoviq u dënua me 6 muaj burgim, por që në këtë dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Nën masën e tillë, Obrenoviq kishte qëndruar për mbi 5 muaj.
Tensionet në veri të vendit në maj të 2023-tës pasuan me sulmin terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24.09.2024 nga grupi i armatosur serb në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili ka marrë.
Gjatë sulmit, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosoëvs, tashmë hero i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Për këtë sulm, më 11.09.2024 Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, mbi të cilët rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Pas zhvillimeve në veri, KFOR-i ka shtuar edhe numrin e trupave në Kosovë. KFOR-i në Kosovë aktualisht ka 4,443 trupa.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë?
Sipas dosjes së prokurorisë më datë 29.05.2023 në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri Lazar Dejanoviq, në koordinim me shumë të pandehur të tjerë, kanë marrë pjesë aktiv në grupin e personave në kryerjen e veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, molotov, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Me këto veprime i pandehuri në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale: Sulmi ndaj personit zyrtar.
Sipas aktakuzës me datë dhe me kohë të njëjtë si në pikën I të kësaj aktakuze, i pandehuri në koordinim me shumë të pandehurit të tjerë, ka marrë pjesë aktiv në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze të cilët përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit.
Gjithnjë sipas aktakuzës i pandehuri Dejanoviq së bashku me të pandehurit kishin filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, molotov, mjete shpërthyese te improvizuara si dhe me armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave parequrajtëse të KFOR-it,3 nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, të Policisë së Kosovës, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe, çka me këtë kanë shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë.
Me këto veprime i pandehuri në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale: Pjesëmarrja në turme që kryen vepër penale dhe huliganizmi.