Burgim dhe gjobë ndaj të akuzuarit për fajde

Gjykata e Prishtinës ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Fehmi Sfishta i akuzuar për fajde dhe për armëmbajtje pa leje.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri.

Gjykata të akuzuarin e ka gjykuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 2 vite burg efektiv si dhe 3,500 euro gjobë të cilat do të ekzekutohen në afat prej 15 dite pasi aktgjykimi të merr formën e prerë.

Sipas aktgjykimit i akuzuari Fehmi Sfishta për fajde është dënuar me dënim më burg në kohëzgjatje prej 2 vite dhe dënim me gjobë me shumën prej 3 mijë euro, ndërsa për armëmbajtje pa leje është dënuar me dënim me gjobë me shumën prej 500 euro.

Në dënimin e shqiptuar të akuzuarit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 28.05 deri më datën 02.08.2019.

Në rast se i akuzuari nuk dëshiron ose nuk mundet ta paguajë gjobën, gjykata të njëjtit do të ia zëvendësojë dënimin me gjobë në dënim me burgim duke ia llogaritur 20 euro të gjobës për një ditë burgim.

Detyrohet Policia e Kosovës që të bëjë asgjësimin e shufrës metalike e cila është e konfiskuar.

Detyrohet i akuzuari që në emër të shpenzimeve të procedurës penale të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 100 euro, si  dhe në emër të taksës për Fondin e Kompensimit të viktimave të Krimit të paguajë shumën prej 50 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pasi aktgjykimi të merr formën e prerë.

Kundër këtij aktgjykimi të gjykatës, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e

Apelit në afat prej 30 ditësh pas pranimit të tij.

Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, në periudhën kohore prej vitit 2014 deri më datë 28.05.2019 në Prishtinë, i pandehuri Fehmi Sfishta të dëmtuarit Valon Latifi disa herë i ka dhënë të holla hua me kamatë mujore prej 6 % deri në 10 % në nivelin mujor dhe gjatë asaj periudhe kohore i dëmtuari të pandehurit në emër të kamatës është dashur t’i paguajë shumën prej 70,000 euro në emër të borxhit për shumat që i ka huazuar  nga i pandehuri, i cili duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë emocionale dhe financiare të të dëmtuarit, ka kontraktuar dukshëm dobi pasurore joproporcionale për vete.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari ka qenë i detyruar që të hyjë në borxh në mënyrë që t’i paguante të pandehurit këstet mujore në emër të kamatës, me çka i pandehuri akuzohet se ka kryer veprën penale – fajdeja.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, më 28.05.2019 rreth orës 13:30 në Prishtinë, të dyshuarit i është gjetur një shufër metalike (e Policisë ) të cilën i dyshuari e ka mbajtur kundërligjshëm me çka ka kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.