
Foto: Top Chanel
Burg për ish-shefin e Krimeve të Elbasanit, Leonard Palushi dënohet për korrupsion pasiv
Gjykata shpalli fajtor Leonard Palushin. Ish-shefit të policisë, arrestuar për shpërdorim detyre iu rënduan më pas pozitat pasi vepra iu kualifikua për korrupsion.
Palushi u dënua me 2 vjet dhe katër muaj burg. Emri i nënkomisarit që së fundmi ishte shef policie, doli në skenë nga dëshmia e të mbrojturit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
Fjala e tij dhe provat e mbledhura nga SPAK rënduan pozitat edhe të disa personazheve të krimit të organizuar në vend, njëri prej të cilëve Erion Alibeaj, i cili dyshohet se informohej nga shefi i sektorit të vrasjeve në qytetin e Elbasanit. Palushit në një rast ka dyshime se dhuroi një automjet për shërbimet e kryera. Dumani rrëfeu se midis të tjerave ai nuk prekej dhe nuk arrestohej dhe madje e kishte ndihmuar policin Palushi që si ai të instalonte kamera sigurie në një lokal. Palushi më pa me pa dhe më kërkoi ndihmë pasi i nevojiteshin kamera të cilësisë së lartë, thotë dëshmitari i drejtësisë.
Leonard Palushi kërkoi pafajësi duke këmbëngulur se i ka shërbyer ligjit dhe vendit. Ish-shefi insiston po ashtu se nuk ka kryer korrupsion.
Në dosjen e shqyrtuar nga gjyqtari i posaçëm Erjon Çela përmendet dhe episodi tjetër, ku ish-polici dha informacion për një pistoletë që rezultoi se kishte vrarë Emiljano Ramazanin. Arma u gjet në pronën e familjes Manhasa, ç’ka orientoi përkohësisht gabim autoritetet te persona qe nuk e kishin kryer vrasjen.
Për këtë episod, polici Palushi thotë se iu dha informacion nga një informator gjatë kohës që ishte me leje dhe se gjendej në Astir kur i takoi informatorët. Personi ishte i informuar përmes një aplikacioni, që i bëra fotografi dhe kur ata ikën takova drejtorin e policisë Arjan Muça këmbëngul polici Palushi në rrëfimin e tij.
Operacioni “Golden bullet” dërgoi në qeli shumë persona që po përballen me gjykatën, por sidoqoftë gjatë mbajtjes së tij aurotitetet nuk mundën dot të arrestonin në kohë Ervis Martinaj.
Rrëfimi i Dumanit dërgoi në qeli 16 persona. Por disa të tjerë në rrethana të paqarta çanë rrjetën e policisë dhe vazhdojnë në kërkim, midis tyre Ervis Martinaj dhe Talo Çela./Top Channel