Burg për ish-drejtorin e Kllokotit që akuzohet se mori mbi 10 mijë euro nga komuna

Mbi 10 mijë euro të taksave komunale të Kllokotit dyshohet se u përvetësuan nga Nikolla Nojkiq, ish-Drejtor i Financave në këtë komunë.

Gjykata e Gjilanit të hënën e gjeti fajtor të akuzuarin për keqpërdorim detyre dhe e dënoi me 8 muaj burg.

Përveç kësaj, Nojkiq u obligua që Komunës së Kllokotit t’ia kompenzojë edhe shumën prej 10 mijë e 390 euro e 50 cent,  të cilën nuk e kishte dorëzuar në llogari të komunës.

Aktakuza specifikon se Nojkiq, pa qenë i autorizuar, ka bërë pranimin e të hollave në shumë prej 14,013.50 euro nga zyrtari Boban Bogdanoviç, arkëtarët Bislim Trena dhe Zhivorad Vesiç, të cilat të holla kanë qenë rrjedhojë e inkasimit të taksave për shërbime komunale.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti shumën prej 3,623.00 euro i kishte transferuar në llogarinë bankare të komunës, ndërsa nuk e ka dorëzuar shumën prej 10,390.50 euro, edhe pse ka qenë i obliguar t’i dorëzojë në bankë.

Gjykatësi Zyhdi Haziri pasi e shpalli vendimin lidhur me këtë rast tha se kanë ardhur në përfundim se i akuzuari e ka kryer vepren penale me të cilen akuzohej.

Mbrojtja e të akuzuarit megjithatë kishte kërkuar lirimin e tij duke thënë se nuk është provuar fajësia mbi akuzën ndaj Nojkiq.

Lidhur me këtë vendim ekziston mundësia e ankesës në Gjykatën e Apelit.