Burg me kusht dhe 700 euro gjobë ndaj inkasantit për përvetësimin e 360 eurove

Gjykata e Pejës e ka shpallur fajtor ish- inkasantin e KEDS-it, Arben Berisha dhe e ka dënuar për përvetësim të 360 eurove.

Berisha po akuzohej se kishte përvetësuar paratë e klientëve sa ishte inkasant dhe pasi doli nga puna vazhdoi t’i mashtronte klientët e KEDS-it duke i marrë paratë për pagesën e rrymës.

Gjykata i shqiptoi Berishës për veprën penale përvetësimi në detyrë, 15 muaj burg dhe 400 euro gjobë, ndërsa për vepër penale të mashtrimit 12 muaj burg dhe 300 euro gjobe.

Të akuzuarit Berisha iu shqiptua dënimi unik prej 2 viteve burgim me kusht dhe 700 euro gjobë.

Sipas gjykatësit Sylë Lokaj i akuzuari nuk do të vuaj dënimin prej 2 viteve burgim nëse në afat prej 1 viti nuk kryen vepër të re penale.

Ndërsa,  nëse dënimi me gjobë prej 700 eurove  nuk paguhet në afat prej 15 ditëve, atëherë 1 ditë do të llogaritet 20 euro gjobë.

Arben Berisha akuzohet se prej datës 19 dhjetor 2017 deri më 2 mars 2018 në cilësinë e inkasantit të KEDS-it, ka marrë të holla nga konsumatorët e ndryshëm, duke mos i dorëzuar ato para në zyrën e KEDS-it, por duke i përvetësuar.

Aktakuza ngarkon Berishën po ashtu, se u paraqit si punëtor i KEDS-it te konsumatorët përkundër që të njëjtit i është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Gjatë kësaj periudhe ai akuzohet t’i ketë përvetësuar 360 euro nga faturat e konsumatorëve.

Inkasanti i KEDS, i akuzuar për 360 euro, pret vendimin e gjykatës