Prapa grilave - Ilustrim

Burg e gjobë ndaj të akuzuarve për vjedhje

Gjykata Themelore në Ferizaj – Dega Kaçanik, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurve J. B., A. H., Ç. L. dhe A. L.

Ata akuzohen për shkak të veprave penale të kryera në bashkëkryerje dhe vazhdim vjedhje e rëndë, veprën penale vjedhje e rëndë në tentativë dhe veprën tjetër penale të kryer në bashkëkryerje cenimi i paprekshmërisë së banesave dhe objekteve.

Gjykata njofton se, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, të pandehurin J. B. për veprat penale si në aktakuzë e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej pesë vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej njëmijedyqind euro.

Tutje bëhet e ditur se gjykata të akuzuarin akuzuarin A. H. e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej një viti e tridhjetë ditëve dhe dënim me gjobë në shumë prej katërqind euro.

Kurse sipas njoftimit të gjykatës i akuzuari Ç. L. u dënua me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një viti e tridhjetë ditë dhe dënim me gjobë në shumë prej katërqind euro.  A. L., gjithashtu u dënua me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një viti dhe dënim me gjobë në shumë prej dyqind euro.

Sipas Prokurorisë të akuzuarit gjatë vitit 2020 – 2021, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer dymbëdhjetë vjedhje të rënda, përkatësisht të pandehurit në vende dhe kohë të ndryshme kryesisht në shtëpi, lokale dhe ordinanca, pas marrëveshjeve paraprake në mes tyre, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme që vetës t’i sjellin dobi pasurore.

Tutje sipas Prokurorisë ata, me përdorimin e forcës dhe duke eliminuar pengesat, kanë arritur të vjedhin një televizor “Samsung”, cigare në vlerë prej treqind euro dhe gjashtëdhjetë euro para të metalta; tridhjetë telefona të markave të ndryshme në vlerë prej dymijë euro; një çantë ngjyre e zezë me vlerë të pa përcaktuar nga i dëmtuari, një palë rroba dhe stoli ari në vlerë prej njëqind euro; një shumë të hollave të metalta prej 40-50 euro; një shumë të hollave të metalta prej 10-15 euro.

Tutje sipas aktit akuzues, ata kishin marrë gjithashtu edhe një sef të metaltë në vlerë prej pesëdhjetë euro, një gotë në të cilën kanë qenë të vendosura dyqindegjatëdhjetepesë euro; sasi të llojeve të ndryshme re cigareve dhe një sef të metaltë ku brenda kane qenë të vendosura shuma prej pesëqind euro; tetëdhjetë litra vaj ushqimor me vlerë prej njëqind euro, dymbëdhjetë pako çaj nga një kg në vlerë prej shtatëdhjetepesë euro, detergjent për rroba ku nuk është përcaktuar sasia dhe vlera; një sopatë dhe një toster vlera e pa-përcaktuar; një komplet thika dhe një palë këpucë; një lap-top  me vlerë prej dyqind euro.