Foto: Ilustrim

Burg e gjobë financiare për prizrenasin që vodhi nga çanta e punëtores së një lokali

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit S.R., për veprën penale vjedhje.

Sipas Gjykatës në Prizren, S.R., është shpallur fajtor pasi i njëjti më 5 shkurt 2018, në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, ka hyrë në lokalin ku punonte e dëmtuara dhe ka kërkuar ujë. Kur e dëmtuara ka shkuar për t’i sjellë ujin të akuzuarit, i njëjti ka shfrytëzuar këtë moment dhe nga çanta e të dëmtuarës ka marr kuletën në të cilën kishte para, kartelën e bankës, letërnjoftimin dhe patentë shoferin, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

“Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin S.R., e gjykon me dënim me gjobë në shumën prej 300 eurove dhe dënim me burg në kohëzgjatje prej një viti”, thuhet në njoftim.

Pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari i rastit ka njoftuar palët, që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë, do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

I akuzuari S.R., në shqyrtimin fillestar e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohej, ndërsa kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.