Shkolla Fillore "Dardania", Prishtinë, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Bullizmi në shkollat e Kosovës dhe praktikat botërore në luftimin e tij

Përvoja në një ekskursion me bashkëmoshatarët në Shqipëri  ishte pikënisja e shqetësimeve dhe ngecjes në mësime për një maturante nga Prishtina.

K.K thotë se shokët e shoqet e klasës nisën të flasin për të pas shpine dhe ta bullizojnë duke e çuar në të padurueshme eksperiencën e saj të përditshme në shkollë.

“Sigurisht fjalët e tyre me kanë bërë që nganjëherë të mos shkoj në orët mësimore. Fjalët e tyre  kanë ndikuar që mos të jem e mirë në mësime, më kanë ndikuar shumë keq në aspektin psoikologjik”, rrëfehet nxënësja.

Mungesë dëshire për të shkuar në shkollë ka përjetuar edhe nxënësja 12 vjeçare.

Nëna e nxënëses me nevoja të veçanta rrëfen se e bija ngacmohet verbalisht në baza ditore nga bashkëmoshatarët.

“Ka pasur raste i kanë thanë se ti nuk din, nuk mun me ba sa na, s’din me fol. Nuk ka shumë shoqëri. Shpesh herë kur kam vajzën e vogël të sëmurë nuk shkon në shkollë, se thotë s’kam me kanë me nejt”, thotë J.P

Shqetësimin për këtë situatë, nëna thotë se e ka ngritur edhe me mësimdhënësit dhe menaxhmentin e shkollës, por një zgjidhje sistematike deri më tani nuk është arritur.

Mësuesja Teuta Gashi nga Shkolla Fillore”Fazli Grajqevci” Hade, Obiliq, shpesh has në ngacmim në mesin e nxënësve dhe specifikisht atyre që janë të mirë në mësime.

“Ata e quajnë njëri tjetrin me emra të tillë si “frikacak”, ose abuzojnë me ata që janë shembullor në mësime, duke i quajtur ata [me ironi] “të ditur”, “të mençur”, “gjeni”, tha Gashi.

Edhe Blerim Dalipi, Zëvendës Drejtor, në Shkollën Fillore “Faik Konica”, Prishtinë , në bazë të praktikës edhe si ish- mësimdhënës thotë se ekziston bullizmi si problem dhe është i pranishëm në shkolla në vendin tonë.

“Besoj që është një prej problematikave kryesore e cila dërgon deri te një problem shumë i madh brenda për brenda shkollës por edhe jashtë shkollës”, ka thënë Dalipi.

Ngacmimi që ndryshe njihet me termin bullizëm është i përhapur nëpër shkollat e Kosovës në masë të konsiderueshme, me dominim në shkollat e mesme me 58.31 për qind sipas hulumtimit të realizuar nga Pyper.

Ndërkaq, në hulumtimin e UNICEF-it,  në dhjetor 2017, ishte treguar se një e katërta e fëmijëve kishin raportuar për përfshirje në rrahje apo ngacmim.

Psikologu Klinik, Besnik Sherifi thotë se personat të cilēt ngacmohen karakterizohen të jenë me vetëbesim të ulët, të jenë të izoluar, tê pêrjetojnë ankth, depresion etj.

“Shënojnë arritje të dobëta akademike, kanë me shumë gjasë të përjetojnë mungesë vetëbesimi, largimi nga shkolla, dhe vështirësi në procesin e mësimnxënies,” ka thënë Sherifi.

Programi “Olweus”, shembull në luftimin dhe parandalimin sistematik të bullizmit

Asnjë përpjekje domethënëse dhe me çasje sistematike nuk është aplikuar deri më tani në Kosovë për të adresuar problematikën lidhur me bullizmin.

Megjithatë, një program për krijimin e klimës pozitive në shkolla që u ideua në Norvegji ka treguar sukses në disa shkolla të disa shteteve në botë.

Programi Olweus për Parandalimin e Bullizmit (OBPP) ësht një program për të krijuar një klimë të sigurtë dhe pozitive në shkolla. 

OBPP zvogëlon problemet ekzistuese të ngacmimit midis nxënësve, parandalon zhvillimin e problemeve të reja të ngacmimit, ndihmon në arritjen e marrëdhënieve me të mira mes bashkëmoshatarëve. Është i dizajnuar për tu përdorur në shkolla fillore dhe të mesme nga mosha 5 deri në 18 vjeç, pra nga klasa e parë deri në klasën e 12.

 Dan Olweus ishte studiuesi i parë që ndërtoi programin e parë OBPP kundër bullizmit, në shkolla në Bergen, në Norvegji. Olweus ka qenë i përfshirë në punën kërkimore dhe ndërhyrëse për ngacmimin midis fëmijëve dhe të rinjëve në shkolla për mbi 40 vjet. Ai vdiq po  më  20 nëntor të këtij viti në moshën 88 vjeçare. 

Një shembull konkret se si është përdorur Programi Olweus për Parandalimin e Bullzmit është Lituania me  shkollën fillore “Kaunas Bernardas Brazdežionis“.

 Pedagogia dhe Instrukturoja e Olweus, Daiva Šabūnienė ka treguar për funksionimin e programit brenda kësaj shkolle.

 “Shkolla me programin Olweus u bashkua në vitin 2008, stafi kryen funksionet e programit, çdo vit një sonazh anonim i studentëve me pyetsorin Olweus pēr të monituruar dinamikën e ngacmimit në shkollē. Shikimi i studentëve gjatë pushimeve. Rregulla anti-ngacmim dhe një listë e kujtesës me 6 hapa se si të merren me ngacmimin.Trajnimi nuk u krye nga konsulentë të jashtëm, por nga drejtuesit e shkollës të trajnuar”, ka thënë Šabūnienė.

Me tej Šabūnienė  ka treguar se me përdorimin e OBPP hulumimet kanë treguar se mikroklima e komunitetit ka ndryshuar për të mirë dhe se prindërit e studentëve e konsiderojnë shkollën “Kaunas Bernardas Brazdžionis” si të sigurt për fëmijët e tyre.

“Po, ka ngacmim në shkollë, por shumë pak. Fëmijët kanë më shumë gjasa t’u tregojnë të rriturve për dëmin që po përjetojnë.  Ata janë bërë me solidë, me të hapur ndaj njëri-tjetrit. Mësuesit zbatojnë progamin në formën e ushtrimeve, lojërave. Gjatë orëve të mësimit, studentët mësojnë rregullat e sjelljes së mirë, ndihmojnë një mik, diskutojnë pēr rëndesinë  e tolerancës.

Jane Reise, bashkëautore e materialeve të shtypura online të Programit Olweus, në Universitetin Clemson në Amerikë ka thënë se OBPP është një program që funksionon në praktikë në tri nivelet duke e përfshirë komunitetin e shkollës, studentët dhe familjet me qëllim të parandalimit të bullizmit në shkollë.

“Programi i Parandalimit të Bullizmit Olweus është një program gjithëpërfshirës, ​​në të gjithë shkollën. Dr. Olweus e kuptoi ndikimin shkatërrues që mund të ketë ngacmimi të një person, ndonjëherë për tërë jetën. Ai pranoi që ngacmimi është një formë abuzimi që duhet adresuar në nivelin e shkollës, në klasë, me nxënës individualë të përfshirë në ngacmim, dhe brenda komunitetit të gjerë. OBPP e sheh shkollën si një sistem, dhe se si ai sistem e mbështet ose parandalon  abuzimin e shfaqur. Programi i tij është programi i parë dhe më i hulumtuar i ngacmimit në botë”, ka thënë Reise.

Statistikat tregojnë se si zbatimi i suksesshëm i Programit të Parandalimit të Bullizmit mund të zvogëlojë ngacmimin në shkollë. 

Rezultatet kanë përfshirë  50 për qind ose më shumë ulje në raportet e studentëve për ngacmim ndaj të tjerëve. 

Natyra Agani, Hulumtuese dhe  Eksperte në fushën e ngacmimit dhe viktimizimit në mesin e bashkëmoshatarëve, ka përfunduar studimet e doktoraturës në Universitetin Clemson në Amerikë. Atje ka punuar me Programin Olweus Bullying Prevention, në sistemin arsimor në Amerikë, ka njohur personalisht Dan Olweus dhe ka punuar 5 vite me Susan Limber, implementuese e Programit Olweus në Amerikë. 

Natyra Agani, FOTO- Natyra Agani/Facebook

“Programi Olweus është një program i bazuar në evidemcë, shumë i lehtë dhe i dobishëm për tu zbatuar në praktikë në shkolla, përveq që ulë prevelancën e ngacmimeve edhe i pajis fëmijët me shkathtësi të mira në menagjimin e situatave konfliktuoze në kontekstin e shkollës. Dobitë janë të jashtëzakonshme për fëmijët në kuptimin e përmirësimit të klimës shkollore, në uljen e prevelancës të ngacmimeve në kontekstin e shkollës, i pajis fëmijët me disa shkathtësi shumë tê mira për me i menagju situatat konfliktuoze, ka shumë efekt të mirë në shëndetin mendor të fëmijëve dhe e rrit përformancën akademike të fëmijëve në kontekst shkollor”, thotē Agani.

 Një vend ose një shkollë që të fillojë të zbatojë Programin Olweus për Parandalimin e Bullizmit, duhet të blejë patentën e programit së bashku me materialet dhe këtē e mundëson vetëm Universiteti Clemson në Amerikë.

Zbatimi i OBPP në një shkollë përfshin një trajnim 12-orësh për Komitetin Kordinues të Parandalimit të Bullizmit(BPCC). 

Bashkëautorja e materialeve të OBPP, Reise, sqaron se kostoja e një programi për një shkollë për tu implementuar në praktikë varet nga edhe nga madhësia e shkollës, stafit dhe studentëve.

“Kursi i Certifikimit të Trajnerit është 3925 dollarë amerikanë dhe përfshin konsultime të specializuara individuale me një Konsulent të Ndihmës Teknike Olweus për një minimum prej 24 muajsh dhe Kurset e Certifikimit të Trajnerëve 40 orë, trajnimi për BPCC është 12 orë dhe kryhet personalisht gjatë 2 ditëve, ose në internet për rreth 3-4 javë. Ky trajnim pasohet nga konsultimi i vazhdueshëm me Trajner-Konsulentin për të ofruar ndihmë në zbatimin e programit, thotë Reise.

Sfidat për sjelljen e këtij programi në Kosovë

Mungesa e buxhetit por edhe mungesa e licensës dhe akreditimit institucional të programi si ai i Olweus është kufizimi që shkollave në vend i paraqitet për të provuar këtë program.

Në këtë situatë edhe mësimdhënësit kanë pak hapësirë për veprim individual për luftimin e kësaj dukurie në shkolla.

Agani ka thënë se aplikueshmëria e Programit Olweus do të ishte e jashtëzakonshme në vendin tonë mirëpo ka mungesë të iniciativës për të sjellë një program të tillë në Kosovë.

“Nevojitet pak me u adaptu në kontekstin kulturor, sepse është e dizajnume për një kulturë tjetër në raport me kulturën kosovare. Programi ka një kosto financiare ndoshta që i tejkalon aspektet financiare të shtetit të Kosovës, nëse është fokusi kryesor mirëqenia e fëmijëve ose qysh i referohemi na si e ardhmja e këtij vendi, ish dashtë më pas përkrahje në këtë drejtim. Institucionalisht nuk është që kam pas ndonjë inciativë ose ftesë zyrtare ndoshta për shkak që nuk i takoj atij sektori”, thotë ajo.

Agani ka treguar se programi përfshin nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe stafin e shkollës.

Sipas saj, gjatë zbatimit në praktikë merret shumë parasysh diversiteti etnik i shkollës sepse e rëndësishme është të kuptohet se me çfarë probleme përballen ata fêmijë nga komuniteti që vijnë, pra për dinamikat familjare të tyre në shkollën që aplikohet programi.

“Kemi trajnu mësimdhënsit fillimisht, pra në sistemin arsimor amerikan në periudhën 2010-2012, prej klasës të katërt deri klasën e nëntë, kur kom punu atje kjo ka qenë grupmosha në të cilën është intervenu. E mira e Olweus është me parandalu stigmën, fëmijtë me vështirësi bëhen delja e zezë e klasës, në mënyrë që mos me ndodhë, në anën tjetër me i ndihmu e aplikon programin për të gjithë fëmijët sepse ideja është me pas një fëmijë që e zhvillon kapacitetin e tij maksimal , kolektiv, emocional”, përfundoi ajo.

Mësuesja Gashi e sheh të nevojshëm këtë program që të implementohet në të ardhmen në shkolla në Kosovë sepse thekson se përmes programit nxënësit do përvetësojnë shkathtësi, shprehi, bindje dhe ide të reja.

“Do vetëdijësojë nxënësit dhe shprehitë tashmë të formuara, nuk do gjejnë vend tek moshat ku shfaqet më së shumti kjo dukuri”, thotë ajo.

Ndërsa Merita Jonuzi, Kordinatore për të Drejtat e Njeriut, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thotë se sipas përgjegjësive dhe hierarkisë MASH është hartuese e politikave arsimore, mbikëqyrëse e zbatimit të tyre dhe OBBP është gjithëpërfshirës siç kērkon protokolli i Ministrisë, por duhet vlerësuar rrugën e zbatimit.      

“Në parim, çdo program qё i kontribon parandalimit tё dhunёs, ngacmimeve ёshtё i mirёseardhur. Programi mund tё jetё i suksesshёm, por duhet vlerёsuar rrugёn e zbatimit. Kryesisht fakti qё programi ёshtё me pagesё pёr shkollat, kufizim ёshtё buxheti i vogёl i shkollave”, shtoi ajo.

ZëvendësDrejtori Dalipi beson se Programi Olweusi do të merrte mbështetje për tu zbatuar në praktikë edhe nga MASH mirëpo si  kufizim e sheh financimin e Programit për tu implementuar nga vet shkollat nëse nuk përkrahen nga MASH.

“Në qoftë se Ministria nuk mbështetet në këtë aspekt atëherë shkollat nuk munden përbrenda të përdorin këtë program”, tha ai.

Ndërsa Jonuzi shprehet se nëse MASH siguron mbështetje dhe programi kalon procedurat e akreditimit, atëherë do të mund të sigurojë zbatimin e programit në ndonjë shkollë.

“MASH mund të sigurojë që shkollat të zbatojnë programin, nëse programi kalon procedurat ligjore të akreditimit dhe nëse Ministria siguron mbështetje për shkollat”, përfundoi ajo.