Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bulliqi tregon se pse e ka dërguar në shtëpi drejtorin e një shkolle në Podujevë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se drejtorin e shkollës “Ibrahim Lepaja” e ka pushuar nga puna për shkak se në këtë shkollë nuk kanë qenë aktive të gjitha krojet me ujë të pijshëm.

“Janë zgjedh më të mirët që kanë qenë në garë. Kemi me punu për më mirë sepse menaxhimi ka vend gjithmonë për më mirë. Në vizitën e parë që e kam bërë në këtë shkollë, nga të gjitha krojet që kanë qenë për të pirë ujë nxënësit, kanë qenë vetëm dy aktive. Me qenë drejtor 20 vite edhe me i pas dy kroje aktive e kjo ka qenë arsyeja kryesore që ai ka shku në shtëpi”,  ka treguar Bulliqi.

Kjo përgjigje e Bulliqit erdhi pas pyetjes së kandidatit për kryetar të Komunës së Podujevës, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

“Hasan Lepaja në shkollën Ibrahim Lepaja pse nuk është rizgjedh drejtor?”, ka pyetur Tahiri.

Kritika për arsimin Bulliqi ka marrë edhe nga kandidatët e tjerë për kryetar të kësaj komune.

Kritikat kanë qenë rreth emërimit të drejtorëve, kushteve të punës, konkurseve në arsim e kritika për infrastrukturën në shkolla.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Podujevës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Podujevës, Besnik Tahiri nga AAK, Floretë Zejnullahu nga PDK, Gazmend Islami nga OBKD, Shpejtim Bulliqi nga LVV, Xhemajl Hasani nga Nisma.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Podujevës: Adelina Stublla nga LVV, Albana Talla nga AAK, Antoneta Ejupi nga PDK, Arjeta Fetahu nga OBKD, Flakë Ajeti nga PDK, Lirika Maliqi nga LVV, Lirika Humolli nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.