Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bulliqi: Serbia arrestoi dy kosovarë, njëri asamblist i Podujevës

Policia serbe ka arrestuar dy shtetas të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Bulliqi thotë se njëri prej dy të arrestuarve është këshilltar i Kuvendit Komunal të Podujevës.

Arrestimi, sipas tij, ka ndodhur gjatë ditës së djeshme.

“Ata janë arrestuar në rrethana të pasqaruara derisa kishin dalë të ecnin brenda territorit të komunës sonë, përgjatë brezit kufitar”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.

Bulliqi ka kërkuar nga shteti serb lirimin e dy qytetarëve të Kosovës.

Ky është postimi i plotë i Shpejtim Bulliqit:

Arrestimi nga policia serbe i dy qytetarëve të komunës sonë gjatë ditës së shtunë, njëri prej tyre këshilltar në Kuvendin e Komunës së Podujevës, është një veprim i papranueshëm.

Ata janë arrestuar në rrethana të pasqaruara derisa kishin dalë të ecnin brenda territorit të komunës sonë, përgjatë brezit kufitar.

Ndonëse, nuk kemi asnjë informatë nga shteti serb, as nga institucionet tona kompetente të sigurisë, duke dënuar aktin kërkoj nga shteti serb që t’i lirojë menjëherë dy qytetarët tanë, që po mbahen të ndaluar.