Bulliqi prezanton kabinetin qeverisës të Podujevës, nënkryetare do të jetë një grua

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka prezantuar ekipin e tij qeverisjes.

Numri dy i kësaj komune do të jetë një grua ndërsa, ai emëroi edhe dhjetë drejtorë nëpër drejtoritë komunale.

“Nënkryetare e Komunës – Marigona Lahu, master e Ekonomisë, drejtimi Banka, Financa dhe Kontabilitet. Vazhdon studimet për doktoraturë në Maqedoninë Veriore – drejtimi shkenca organizative-menaxhment”, thuhet në njoftiin e Komunës së Podujevës.

Ish-kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga LVV në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Ajet Potera do të jetë drejtor i Inspekcionit.

Drejtor i Administratës do të jetë Bahri Selimi, për Buxhet dhe Fianca do të jetë Fatlum Osmani.

Drejtorinë të cilën e udhëhiqte vete Shpejtim Bulliqi, sa ishte pjesë e LDK-së, atë të Arsimit, në këtë pjesë të mandatit do ta drejtojë një tjetër ish-anëtarë i LDK-së, Avni Fetahu.

Drejtoria e cila ishte pa drejtor, ajo e Shëndetësisë, do të drejtohet nga Egzona Mustafa ndërsa Drejtoria për Shërbime Publike Mbrojtje dhe Shpëtim do të udhëhiqet nga Fevzi Jetullahu.

Pajtim Balaj do të jetë drejtor për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik ndërsa Elhame Kutllovci do të jetë në krye të drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Bujar Hasani do të udhëheqë drejtorinë e Planifikimit Urban dhe Mbrojtje e Mjedisit ndërsa atë të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Vigan Salihu.