Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bulliqi: Podujeva mbeti pa spital, nuk u përfshi në buxhetin e vitit 2021

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se Podujeva ka mbetur pa spital të përgjithshëm pasi nuk është përfshirë në buxhetin e miratuar për vitin 2021.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Bulliqi ka akuzuar Qeverinë Hoti se nuk e ka amendamentuar projektin.

“Ai projekti që paraqitej me pompozitet në fushatën zgjedhore në Llap nuk është askund. Ata që bënë zhurma mediatike për ndërtimin dhe funksionalizimin e Spitalit të Qytetit, që e kishin premtuar disa herë po dëshmohet se ka qenë gënjeshtër dhe mashtrim për qytetarët. Ai projekt është përdorur në funksion të fushatave elektorale e për qëllime të ulëta politike”, ka shkruar Bulliqi.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021. Projektligji u votua me 85 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Pro Projektligjit kanë votuar edhe deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka thënë se miratimi i buxhetit i hap rrugë Programit të Rimëkëmbjes në vitin 2021.