(Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Bulliqi: Moti i lig ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa fshatra të Podujevës

Moti me erëra të forta dhe breshër ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa fshatra të komunës së Podujevës.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi.

“Moti i ligë që po mbretëron në vendin tonë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa fshatra të Podujevës, erërat e forta dhe breshëri kanë dëmtuar dhjetëra ekonomi familjare dhe kultura të ndryshme bujqësore në rendimentin e tyre”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.

“Si institucione lokale me të gjitha kapacitetet tona do të jemi pranë qytetarëve në nevojat e tyre për ta kaluar shpejt këtë situatë”, ka shtuar ai teksa u ka bërë apel qytetarëve që këto ditë të kenë kujdes të shtuar nga rreziqet që mund të kanosen nga moti i keq.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, në Prishtinë një person ka mbetur i vdekur pasi është goditur nga një lis që është rrëzuar nga erërat e forta. Edhe një 30-vjeçare ka mbetur e lënduar nga lisi që u ka rënë sipër në mes të rrugës.

Një tjetër person sot ka mbetur i vdekur dhe një është lënduar në fshatin Zatriq të Rahovecit pasi dyshohet se ata janë goditur nga rrufeja.