Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bulliqi deklarohet lidhur me pretendimet se sulmoi një zyrtar

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi është deklaruar lidhur me pretendimet e një qytetari se u sulmua fizikisht nga ai.

Bulliqi ka thënë se këto pretendime janë krejtësisht të pavërteta dhe shpifje me qëllim të vetëm për të dëmtuar reputacionin  e tij si Kryetar i Komunës dhe të LVV-së në kohë fushate.

“Sqarim lidhur me një lajm që po qarkullon në portale të ndryshme, se gjoja sot kam sulmuar një zyrtar komunal në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Këto pretendime janë krejtësisht të pavërteta dhe shpifje me qëllim të vetëm për të dëmtuar reputacionin tim si kryetar i Komunës dhe të subjektit tim politik në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit”, ka shkruar Bulliqi në rrjetin social “Facebook”.

Ai ka sqaruar se gjatë vizitës së tij në QKMF, ka qenë i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Driton Veliu, drejtori i QKMF-së, Ymer Llugaliu dhe mjekë e infermierë të tjerë, të cilët mund ta dëshmojnë lehtë se aty nuk ka ndodhur asgjë dhe të gjitha pretendimet e këtij zyrtari janë trillime dhe inskenime të ulëta.

KALLXO.com raportoi sot se ankuesi sipas Policisë është lajmëruar në stacionin policor të Podujevës rreth orës 9 e 30 të mëngjesit ndërsa rastin e ka denoncuar si sulm fizik.

“Aktualisht janë duke u trajtuar pretendimet e paraqitura nga denoncuesi, dhe me qëllim të zbardhjes së plotë të  të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen veprimet policore po ndërmerren në koordinim me prokurorin e shtetit.”, tha për KALLXO.com, Zëdhënësi i Policisë së Prishtinës Agron Borovci.

Një person pretendon se u sulmua nga Kryetari i Podujevës, Policia po trajton rastin