Ndërtesa e Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.

Bullgaria mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

Bullgaria është një nga shtetet që ka mbështetur aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë përmes një reagimi në Twitter ka thënë se Bullgaria e mbështet Kosovën që të bëhet pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.

“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE tregon synimin e qartë për vazhdimin e agjendës së reformave të BE-së. Bullgaria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën që të bëhet pjesë e familjes së BE-së”- shkruan Ministria.

Dje, zyrtarisht, kryeministri i Kosovës ia ka dorëzuar në Pragë letrën e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian, ministrit për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulas Bek.

Aplikimi i Kosovës përbën herën e parë që një shtet merr një nismë të tillë pa u njohur zyrtarisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Kryeministri Kurti tha që kjo është një ditë e jashtëzakonshme për demokracinë në Evropë, ndërsa historike për Kosovën.