Bullgaria mban zgjedhjet e radhës, të katërtat në më pak se dy vjet

Në Bullgari sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme, të cilat janë të katërtat në vetëm 18 muaj.

Por çfarë fshihet pas paqëndrueshmërisë dhe a ka ndonjë zgjidhje në horizont?

Si arriti Bullgaria në këtë pikë?

Bullgaria, e cila u unatarësua në Bashkimin Evropian së bashku me fqinjin e saj Rumaninë 15 vjet më parë, kishte gëzuar stabilitet relativ deri dy vjet më parë.

Mirëpo protestat antiqeveritare në shkallë të gjerë tronditën këtë vend në verën e vitit 2020.

Qytetarët bullgarë e akuzuan qeverinë e Bojko Borisovit – e zgjedhur për herë të parë në vitin 2009 – për korrupsion dhe regres demokratik.

Megjithatë, partia e tij ‘Qytetarët për Zhvillim Evropian të Bullgarisë’ (GERB) i fitoi zgjedhjet e planifikuara në prill të vitit 2021.

Mirëpo, me 20 ulëse më pak, Borisov nuk ishte në gjendje ta formonte qeverinë.

Në të vërtetë, asnjë parti nuk ishte në gjendje ta krijonte një koalicion për të qeverisur. Kështu që zgjedhjet e parakohshme u mbajtën tre muaj më vonë, ku partia ‘Ka Një Njerëz të tillë’ (ITN) – e themeluar nga prezantuesi dhe muzikanti i TV bullgar Slavi Trifonov – fitoi një shumicë  të ngushtë të ulëseve në parlamentin bullgar.

Tre muaj të tjerë më vonë – në nëntor – bullgarët u kthyen përsëri në kutitë e votimit pasi ITN dështoi ta formonte një qeveri koalicioni.

Kjo bëri që një parti e re, ‘Ne Vazhdojmë me Ndryshimin’ (PP), arriti fitore dhe formoi një koalicion me disa parti të tjera, duke përfshirë edhe partinë ITN.

Por pak më shumë se gjashtë muaj pas formimit të një qeverie, ITN u tërhoq duke i përmendur mosmarrëveshjet me partnerët e koalicionit mbi buxhetin dhe zhgënjimin në progresin sa i përket trajtimi të korrupsionit.

Udhëheqësi i ITN-së Slavi Trifonov e akuzoi gjithashtu PP-në se po përpiqet të heqë veton për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut, duke i shpërfillur interesat kombëtare të Bullgarisë.

Koalicioni u shpërbë sepse ishte një amalgamë partish të bashkuara vetëm nga opozita e tyre ndaj partisë GERB të Borisovit, tha Parvan Simeonov, nga Gallup International Balkans, për Euroneës.

Cilat janë partitë kryesore në zgjedhje?

  • ‘Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB)’: Partia e krahut të djathtë e Bojko Borisovit, i cili ishte kryeministër i Bullgarisë për më shumë se një dekadë deri në vitin 2021.
  • ‘Ne vazhdojmë ndryshimin (PP)’: Kiril Petkov dhe Asen Vasilev e formuan këtë parti të re centriste vetëm një vit më parë. Ajo kaloi gjashtë muaj në qeveri përpara se koalicioni qeverisës të rrëzohej.
  • ‘Ka një popull të tillë (ITN)’: Këngëtari dhe prezantuesi bullgar Slavi Trifonov e formoi këtë parti në vitin 2020, duke e emërtuar atë sipas një prej albumeve të tij. Kjo parti i shkatoi zgjedhjet e tetorit kur u tërhoq nga koalicioni i fundit qeverisës.
  • ‘Lëvizja për të Drejta dhe Liri (DPS)’: Parti centriste e themeluar prej kohësh që përfaqëson kryesisht pakicën turke të vendit.
  • ‘Partia Socialiste e Bullgarisë (BSP)’: Pasardhëse e Partisë Komuniste Bullgare që ishte një nga partitë në koalicionin më të fundit të qeverisë së vendit.
  • ‘Rilindja (Vazrajdane)’: Partia nacionaliste pro-ruse që pritet të dalë shumë mirë në zgjedhjet e parakohshme të tetorit.
  • ‘Koalicioni i Bullgarisë Demokratike (DB)’: Koleksion i larmishëm i tri partive – duke i pasur brenda vetës të gjelbërtit, liberalët dhe demokratët e krahut të djathtë – të njohur kolektivisht si “e djathta urbane”.
  • ‘Ngritja Bullgare (BV)’: Ish-kryeministri në detyrë Stefan Yanev e themeloi këtë parti konservatore në muajin maj. Disa e përshkruajnë atë si pro-ruse. Yanev u shkarkua nga qeveria e fundit pasi rekomandoi që bullgarët t’i përmbaheshin përshkrimit të Putinit për luftën në Ukrainë: “një operacion special ushtarak”.

Cilat janë problemet kryesore për votuesit?

Sondazhet e fundit tregojnë se shqetësimet kryesore të bullgarëve janë të lidhura me inflacionin, rritjen e çmimeve dhe krizën e afërt të energjisë.

Kjo për shkak se norma vjetore e inflacionit të vendit arriti në 15% në muajin gusht.

Rritjet në çmimet e energjisë janë rritur shumë pasi Gazprom i ndaloi dërgesat e gazit natyror në muajin prill për shkak se Sofja zyrtare refuzoi të paguante në rubla.

Në Bullgari, vendi më i varfër ndër 27 anëtarët e Bashkimit Evropian, rritja e kostove të energjisë po i detyron familjet t’i reduktojnë shpenzimet shtesë përpara muajve të ardhshëm të dimrit për të siguruar para të mjaftueshme për të blerë ushqime dhe ilaçe.

Lidhur me këtë, ka pasur edhe një ndryshim në atë që i shtyn njerëzit të votojnë, thonë ekspertët.

Elektorati në zgjedhjet e vitit të kaluar u nda midis partive që përfaqësonin status quo-në dhe atyre që premtonin ndryshim.

Por lufta në Ukrainë ka ndryshuar gjithçka.

“Lufta në Ukrainë ka shkaktuar një ndarje të re në politikën bullgare,” tha për Euroneës Bulgaria Dimitar Ganev, sociolog nga organizata e anketimit Trend Research Center.

“Është një ndarje mes atyre që mbajnë një pozicion pro-Euro, pro-atlantik dhe atyre që kanë një qëndrim më të butë ndaj veprimeve të Rusisë.

“Disa nga partitë politike e shfrytëzojnë qëndrimin tradicionalisht të favorshëm të bullgarëve ndaj Rusisë dhe kërkojnë të mbledhin votues të rinj.”

Pse duhet pjesa tjetër e Evropës duhet t’i kushtojë kujdes zgjedhjeve në Bullgari?

Çarjet që po përcaktojnë politikën e Bullgarisë e përforcojnë më tej opozitën dhe me ndarjen e votave midis më shumë partive që bëjnë parashikime për rezultatin përfundimtar bëhet gjithnjë e më e vështirë, sipas shkencëtares politike Teodora Yovçeva.

Kjo, shton ajo, duhet të japë një paralajmërim për pjesën tjetër të Evropës.

“Bullgaria po hyn në një spirale në rënie të zgjedhjeve dhe ky është një fenomen që i ka të gjitha gjasat për t’u përhapur në pjesë të tjera të Evropës,” tha Yovçeva për Euronews Bulgaria.

“Arsyeja për këtë është fragmentimi i sistemit të partive politike, Izraeli dhe Spanja tashmë kanë një fat të ngjashëm.

“Megjithatë, në rastin bullgar, intensiteti është shumë më i fortë. Prandaj, elita politike evropiane ka mundësinë të mësojë nga përvoja e Bullgarisë dhe ta vlerësojë vlerën e ndërveprimit të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm midis partive.”

Kush ka gjasa të dalë triumfues nga zgjedhjet në Bullgari?

‘Aleanca politike GERB-SDS’ kryesoi një nga sondazhet e fundit të opinionit nga Gallup International më parë në shtator.

Kjo aleancë parashikohet të marrë 25.8% të votave, e ndjekur nga ‘Ne Vazhdojmë Ndryshimin (PP)’ me 16.6%.

Ndërkohë, partia pro-ruse ‘Rilindja (Vazrajdane)’ dhe ‘Lëvizja për të Drejta dhe Liri (DPS)’ parashikohet të marrin rreth 13%.

Simeonov ka deklaruar se një nga pikëpyetjet e këtyre zgjedhjeve është se çfarë ndodh me partitë e këngëtarit bullgar Slavi Trifonov (Ka një popull të tillë – ITN) dhe partia e ish-kryeministrit në detyrë Stefan Yanev (Lëvizja pro-ruse, e quajtur Ngritja Bullgare)

ITN po përballet me një humbje rekord në përqindjen e votave. Gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar ajo ishte partia e dytë më e madhe. Tani mund të ketë vështirësi për të arritur pragun prej 4% për të hyrë në parlament. Slogani kryesor i partisë është transformimi i Bullgarisë nga një republikë parlamentare në një republikë gjysmë presidenciale.

“Ideja e një republike presidenciale nuk është e huaj për shumë votues të zhgënjyer nga një seri zgjedhjesh pa një rezultat të qartë stabilizues. Ata do të donin të shihnin një bartës më konkret të përgjegjësisë politike,” tha Simeonov.

Në Bullgari, kur një qeveri bie dhe nuk mund të arrihet dakord për një të re, kushtetuta thotë se presidenti duhet ta emërojë një kabinet të përkohshëm për të qeverisur deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Prandaj, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, i ka rekrutuar tri nga koalicionet më të fundit të vendit, duke e bërë atë një figurë kyçe në trazirat politike që e ka përfshirë këtë shetet të BE-së në vitet e fundit./Euronews