Bullgari - Vdesin brenda kamionit 18 emigrantë, 6 persona nën akuzë

Prokurorët bullgarë kanë ngritur akuza ndaj gjashtë personave për trafikim qëniesh njerëzore, pasi 18 emigrantë afganë u gjetën të vdekur të enjten brenda një kamioni të braktisur në një rrugë të prishur, pranë kryeqytetit të vendit, Sofje.

Prokurorët thanë se kamioni u braktis pranë fshatit Lokorsko, pasi shoferi dhe një person qe e shoqëronte, zbuluan se shumë nga 52 migrantët që ndodheshin brenda tij, po u merreshin mendtë dhe ndërkohë disa prej tyre kishin vdekur.

Shoferi i kamionit dhe shoqëruesi i tij ishin ndër personat ndaj të cilëve u ngritën akuza lidhur me vdekjen e imigramtëve afganë thanë prokurorët.

Pavarësisht goditjeve të forta dhe të zgjatura nga ana e imigratëve, shoferi refuzoi të ndalonte kamionin më herët, u tha gazetarëve kreu i Shërbimit Hetimor Kombëtar dhe zëvendëskryeprokurori Borislav Sarafov.

Gjendja shëndetësore e 34 emigrantët e tjerë, të cilët u dërguan me urgjencë në spital, mbetet e qëndrueshme, thanë zyrtarët.

Ngjarja ka tronditur Bullgarinë, dhe është cilësuar si një nga incidentet më të rënda të këtij lloji që ka ndodhur në korridorin tokësor nga Ballkani për në Evropë.

Bullgaria është përpjekur të përballojë një fluks në rritje të emigrantëve që vijnë nga Turqia.

Pesë nga të akuzuarit ndodhen në paraburgim, ndërsa një nga trafikantët e dyshuar, i cili kishte arritur të largohej nga vendngjarja, është në kërkim. Ndaj tij është shpallur një urdhër arresti ndërkombëtar.

Prokurorët thanë se rrjeti kishte trafikuar emigrantë nga kufiri me Turqinë përmes Bullgarisë për në Serbi, e duke vazhduar më tutje, kryesisht për në Britani, Gjermani dhe Francë.