Foto: Geri Emiri/BIRN

“Bukë e kryp e zemër”, kosovarët hapin dyert për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri

Sot Shqipëria është goditur nga një katastrofë natyrore, termet 6.4, ka të vrarë dhe të lënduar, e raportohet edhe për shumë njerëz nën rrënoja të shtëpive të rrënuara.

Disa kosovarë kanë hapur shtëpitë e tyre për të prekurit në Shqipëri pas tërmetit të orëve të para të mëngjesit.

Blend Zymi, një qytetar ka shkruar se mund të strehojë një familje 10 anëtarëshe.

“Derisa shteti Shqiptar te bej zgjidhje për personat e prekur nga tërmeti un ofroj strehim për një familje nga Shqipëria deri ne 10 anëtar.. Aq sa kom mundësi, bukë e kryp e zemër! Numri kontaktues. Viber & WhatsApp +38345123125”, ka shkruar Zymi.

Po ashtu, edhe Lulzim Demaj është shprehur i gatshëm për të ofruar strehim për një familje pesë anëtarëshe.

“Përderisa forcat tona te kërkim-shpëtimit janë nisur drejtë Shqipërisë për te ju dal ne ndihme te bllokuarve nen rrënoja; Nëse është nevoja përderisa te ju siguroj shteti zgjidhje publikisht ofroj strehim për familje deri 5 anëtarë ne shtëpinë time. Edhe them me plot zemër vëllezër nga Shqipëria Për çdo kontakt nr im i tel; +383 44 475 609”, ka shkruar Demaj.

Ndërsa Blend Sahiti ka ofruar të holla në shumë prej 400 eurosh dhe strehim të përkohshëm për dhjetë familje.

“APEL: Përveç 400€ qe do ti ndaj personalisht, Te gjithë ju vëllezër tanë qe keni mbetur pa strehim atje, ju mirëpresim këtu tek ne, në Kosovë! 10 familje, unë do te ju ofroj me aq sa kam mundësi strehim, ne objektin ku kam strehuar vitin e kaluar familje në nevojë gjatë dimrit! Bukë e kryp e zemër, por te paktën për një kohe deri sa shteti te ju beje zgjidhje, strehe keni mbi koke! P.s. nuk kemi nevoje për komente lavdëruese as asgjë, thjeshte ata qe janë te interesuar le te me shkruajnë direkt sepse paratë e mbledhura do ti dërgojmë te gjitha ne Shqipëri, ne zonat me te prekura. Zot ndihmona”, ka shkruar Sahiti.

Edhe grupi më i madh në Facebook “Marakli të kerreve”, kanë filluar mobilizimin për grumbullimin e ndihmave për Shqipërinë pas tërmetit të orëve të para të mëngjesit.

“Hajde ta tregojmë veten sot Shqipnia ka nevoje për neve. Grupi jone ka vendos qe me mbledh ndihma për vllaznit dhe motrat tona ne Shqipni. Ndihma ju duhen rroba dhe ushqim. Kontakti për me i dorzu ndihmat”, ka njoftuar grupi.

Po ashtu, ky grup ka publikuar edhe emrat e personave kontaktues në pesë komuna.

PRISHTINE Advan S. Plakolli
PODUJEVE Behar Cakiqi dhe Fation Mustafa
GJILAN Arbesian Aliu
PRIZREN Nehari Kryeziu
FERIZAJ Leonor Caka

Kandidatja për deputete nga lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Shala, ka njoftuar se kjo parti ka filluar grumbullimin e ndihmave pas tërmetit në Shqipëri.

Shala ka njoftuar se lokacionet për grumbullimin e ndihmave do të jenë në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë në selitë e Vetëvendosjes.

Po ashtu, ajo ka shkruar se pas grumbullimit do te transportohen ne Shqipëri ne vendet ku gjendet nevoja.

“Thirrje për ndihme për viktimat e tërmetit në Shqipëri. Tërmetet e mbrëmshme ne Shqipëri kane tronditur vendin. Deri me tani ka qindra te lënduar dhe një numër te vdekur. Ka shume qytetare pa strehe mbi koke. Fatkeqësisht pritet te rritet shume shpejte numri i viktimave. Prandaj, Lëvizja VETEVENDOSJE! i organizon tri pika grumbullimi, ne zyret tona ne Prishtine, Prizren dhe Gjakove, për grumbullimin e gjerave elementare siç janë uji, ushqimi (preferohet i konzervuar ose i thate qe te zgjas me shume), rrobat për çfarë do moshe, batanije/qebe, jastëk, barna (paracetamol dhe vitamina). Jemi shume mirënjohës për të gjitha ndihmat”, ka shkruar Shala.

Pikat grumbulluese:

Zyra qendrore e LV! ne Prishtine

Rr. Kasem Haxhimurati nr. 12

Ne lagjen Arberi/Dragodan

Zyra e LV! ne Prizren

Rr. Adem Jashari nr. 104

Ne qendër, ngjitur me QMI, afër Shtëpisë së Bardhë

Zyra e LV! ne Gjakove

Rr. Ismail Qemali pn

Te çarshia e vjetër, përballë Rektoratit

Ndërkohë, në Shqipëri është hapur një fond për ndihma për ata që mbijetuan.

“Ky fond është të sigurojë ushqim, ujë dhe strehim për vuajtjet shqiptare si rezultat i tërmetit katastrofik në mëngjesin e 26 nëntorit 2019, më i madhi në 70 vjet. Këto fonde do të përdoren për rindërtimin e shkollave dhe do të ofrojnë ndihmë për familjet që kanë nevojë për mbështetje të menjëhershme. Tashmë janë 5 persona të konfirmuar të vdekur dhe më shumë se 200 të plagosur – ndihma juaj është e nevojshme!”, thuhet në faqen e këtij fondi.

KËTU mund të merrni informacione më shumë rreth këtij fondi.

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka informuar për situatën e deritanishme nga tërmeti i fuqishëm që ka goditur Shqipërinë sot.

Xhaçka në një konferencë për media tha se i gjithë shteti është në këmbë, ndërsa u shpreh se po mblidhen raportime nga çdo qark për të përllogaritur dëmet.

Ajo ka shtuar se deri më tani janë shënuar 135 të lënduar dhe se deri më tani kanë humbur jetën 7 persona.

“Deri tani janë 135 të lënduar dhe 12 shtrime në spitalin e Durrësit, 60 në QSUT dhe rastet janë duke u shtuar. Janë konfirmuar 7 jetë të humbura, 3 në Durrës, një në Lezhë e një në Kurbin. Operacionet vazhdojnë. Jemi pranë me mendje dhe me zemër të afërmve dhe familjarëve të tyre. Jemi ende duke mbledhur raportime nga çdo qark, por është e pamundur të llogariten dëmet tani. Kurajo të gjithëve. I gjithë shteti është në këmbë”, u shpreh Xhaçka.

Në bazë të raportimeve të mediave shqiptare deri më tani nga tërmeti i cili ka ndodhur orën 1:18 minuta pas mesnate, për tu pasur edhe me 11 tërmete të tjera, ku ai i orës 03:54 ishte më i fortë me magnitudë 6.4 ballë kanë humbur jetën 7 persona.

Ky tërmet ka prekur qytetin e Durrësit, Thumanën dhe Kurbinin.