Bujupi: Ndërtesat rezidenciale nuk qëndrojnë mirë në pjesën e efikasitetit të energjisë

Më 7 qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës arriti që të publikoj Draftin e Strategjisë së Energjisë për vitet 2022-2031.

Naim Bujupi, ushtrues i detyrës së drejtorit Menaxhues në Fondin e Kosovës për Efiçiencën e Energjisë (FKEE), e po ashtu udhëheqës i Sektorit për Operacione ka thënë se për dallim nga strategjitë e tjera, ky dokument është i zhvilluar mirë.

Ai e arsyeton këtë duke thwnw se për herë të parë janë vendosur disa targete konkrete, që janë të realizueshme nëse do te ketë bashkëpunim ne mes të gjitha palëve, nga udhëheqësit e deri tek qytetarët.

Bujupi ka thënë se ka qenë pjesë e grupit e punues, përfaqësues nga FKEE, ku ka dhënë komentet e tij që i ka llogaritur si konstruktive e që ka thënë se janë të përfshira në draftin e strategjisë për energji.

“Kam qenë në grupin punues, aty kam marr pjesë vetëm në dhënien e informatave që lidhen me domenin e fundit, mirëpo besoj që kam dhënë komente konstruktive që janë të përfshira në strategji”, ka thënë ai.

Tutje, Bujupi ka treguar edhe për punën që është duke bërë FKEE-ja.

Ai ka treguar se për momentin janë duke e implementuar një projekt për efikasitetin e energjisë në ndërtesat publike.

Fokus në këtë projekt, Bujupi ka treguar se janë 75 ndërtesa publike, nga gati 1 mijë e 400 ndërtesa të tilla që sipas Bujupit i ka Kosova.

“Fondi, pra ne jemi themeluar nga viti 2019, ne jemi duke e implementuar një projekt që ka në fokus 75 ndërtesa publike. Si informatë të saktë nuk e kam, mirëpo Kosova ka përmbi 1,400 ndërtesa publike, përfshirë edhe ato qeveritare”, ka thënë ai.

Sipas Bujupit, për dallim nga ndërtesat publike, ndërtesat e sektorit rezidencial janë ato që nuk qëndrojnë mirë në pjesën e efikasitetit të energjisë.

“Unë mendoj që ndërtesat publike qëndrojnë mjaftë mirë në pjesën e efikasitetit të energjisë, mirëpo që nuk qëndrojnë mirë janë ndërtesat e sektorit rezidencial, e që fokusi duhet të jetë aty”, ka thënë ai.

Bujupi ka shtuar se për momentin nuk mund të implementohet ndonjë projekt që në fokus ka ndërtesat rezidenciale para se të përfundoj ai i ndërtesave publike, e gjë që pritet të ndodh vitin e ardhshëm.

Lidhur me efiçiencën, deri më tani janë publikuar analiza të ndryshme që kanë rekomanduar që fokusi kryesor i Kosovës të jetë në të.

Ani pse diçka e tillë nuk ka qenë nën vëmendjen e shtetit, pasi fokusi ka qenë se si të ndërtohet një termocentral.

Mirëpo, nëse nga drafti për strategjinë e energjisë punohet edhe për efiçiencën e energjisë, atëherë do ketë disa pika pozitive përfituese për konsumatorët, dhe jo vetëm.

Konsumatorët mendohet se do të pranojnë fatura shumë më të ulëta, pasi shtëpitë dhe ndërtesat në bazë të planeve të efiçiencës duhet që të izolohen në atë formë që të harxhohet më pak rrymë.

Po ashtu, nga e gjithë kjo do të ketë më pak ndotje, pasi do të digjet më pak qymyr, e madje nuk do të jetë më nevoja as për importim të rrymës nga jashtë.