Foto: KALLXO.com

BSPK vendos: S’do të ketë grevë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka vendosur që mos të hyjnë në grevë për kërkesat e tyre drejt Qeverisë së Kosovës.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës informon anëtarësinë sindikale se Kryesia Ekzekutive e BSPK-së pas një diskutimi të gjerë e duke pasur parasysh se ka filluar dialogu me Kryeministrin Kurti, dhe deklarimit të tij se kërkesat sindikale do të shqyrtohen me përgjegjësit qeveritarë dhe se për to do të informohet BSPK për realizimin e kërkesave te pareshtura në takimin e radhës i cili pritet që së shpejti të thirret nga Kryeministri”, thuhet në njoftim për media.

BSPK njoftoi se ka marrë vendim që të i jepet mundësi dialogut duke tentuar që të arrihet marrëveshje me dialog  duke prolonguar  veprimeve sindikale deri në takimin e ardhshëm të Kryesisë Ekzekutive të BSPK që do të mbahet me datën 28 prill 2022 .

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret nga Qeveria që do të merret seriozisht me kërkesat e anëtarësisë sindikale”, thuhet më tej.

Më 12 prill, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK) Rrahman Jasharaj, kishte njoftuar se pas 20-prillit do të vendosin nëse do të mbahet grevë për kërkesat e tyre.

Ndërsa, më 8 prill, BSPK-ja ka protestuar duke i drejtuar disa kërkesa ndaj Qeverisë së Kosovës.

Ndër kërkesat e tyre ishte të ndaheshin 100 euro nga buxheti i shtetit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik përfshirë edhe punëtorët e Ndërmarrjeve Publike – deri në përmbushjen e kërkesave tjera.

Kurse, SBAShK-u në këtë protestë kishte paralajmëruar grevë pas 20 prillit në arsim.
https://kallxo.com/lajm/sbashk-u-nuk-terhiqet-pas-20-prillit-mund-te-nisim-greven/

.