Foto: KALLXO.com

BSPK mirëpret dialogun me Qeverinë, presin përmbushjen e kërkesave të tyre

Atdhe Hykolli, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, përmes një komunikate e ka mirëpritur deklaratën e Qeverisë së Kosovës se do të përmbushen kërkesat e parashtruara të Sindikatës.

“Protesta e së premtes, e 8 prillit 2022, ishte e qetë e tejet paqësore dhe Partneri Social i Qeverisë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i parashtroi para Partnerit Social – Qeverisë kërkesat e arsyeshme dhe të realizueshme, dhe si duket kjo u kuptua, dhe në Deklaratën e sotme, e martë, 12 prill 2022, i Pari i Qeverisë iu drejtua të gjithëve duke deklaruar se kërkesat e parashtruara do të përmbushen”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë thuhet se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, mirëpret dialogun edhe kur ai vjen në formë të deklaratës nga i pari i Qeverisë dhe presin që kjo të mos mbetet vetëm deklaratë që thuhet po të realizohet dhe të rrisë sado kudo mirëqenien ekonomike dhe sociale të punësuarve dhe të qytetarëve që e ndërtojnë dhe e duan këtë vend.

“Mbështetja financiare është e mirë e çfarëdoqofshme qoftë ajo, po Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret që hartimi i projektligjeve, dhe miratimi, dhe plotësim-ndryshimi i ligjeve të veçanta për jetën e të punësuarve të ecin dhe të rregullojnë fushat përkatëse asisoj që të mos ketë hapësirë e as nevojë të kërkohet që të ndodhë ndryshe”, thuhet tutje.

BSPK ka shtruar edhe një herë kërkesat që i kanë ndaj Qeverisë dhe t’i përmbyllë brenda këtyre muajve.

  • Miratimin e Ligjit për Paga;
  • Nisjen e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore;
  • Plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti; dhe
  • Nënshkrimin e marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse;

Më 8 prill, BSPK-ja ka protestuar duke i drejtuar disa kërkesa ndaj Qeverisë së Kosovës. Ndër kërkesat e tyre ishte të ndaheshin 100 euro nga buxheti i shtetit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik përfshirë edhe punëtorët e Ndërmarrjeve Publike – deri në përmbushjen e kërkesave tjera.

Sot, Qeveria Kurti ka prezantuar masa të reja mbështetëse për disa kategori në Kosovë. Sipas kryeministrit Albin Kurti, Qeveria do të ndajë nga 100 euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit publik e privat.

Kurti: Do t’i ndajmë nga 100 euro për pensionistët, punëtorët e studentët