KEDS - Foto: KALLXO.com

BSPK-KEDS-it: Askush nuk është mbi ligjin

Më 12 shkurt, Rashit Gashi kishte njoftuar se nuk do të jetë më punëtor i KEDS-it pasi ishte larguar nga puna pas 7 vitete. Gashi po pretendon se u largua nga puna pa asnjë arsyetim për shkak të aktivitetit sindikal.

“Pa asnjë arsyetim tjetër, për shkak të aktivitetit tim sindikal në Sindikatën e punëtorëve të KEDS-it si Sekretar dhe shtatë vite pune si Koordinator në KEDS, sot më thanë, nuk kemi nevojë më për shërbimin tuaj”, kishte shkruar Gashi në Facebook.

Kundër largimit të Gashit nga puna ka reaguar edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

BSPK e ka dërguar një mesazh për menaxherët e KEDS-it duke iu thënë se “Askush nuk është mbi ligjin”.

Sipas BSPK-së, largimi nga puna i Rashit Gashit, sindikalist aktiv në KEDS është një goditje e drejtpërdrejtë e KEDS-it kundër sindikatave, punëtorëve dhe ligjeve ekzistuese në Kosovë.

“BSPK shpreh indinjatën e thellë ndaj shkeljes së të drejtave të punëtorëve në vazhdimësi në Kompaninë KEDS me theks të veçantë në këtë rast me kolegun Rashit Gashi, Sekretar i Federatës së Sindikatave të Pavarura Elektrokosova – FSPE”, thuhet në njoftimin e BSPK-së.

Në njoftimin e BSPK-së thuhet se KEDS me këtë largim e sindikalistit Gashi, ka shkelur Ligjin mbi Organizimin Sindikal, Ligjin e Punës, Kontratën Kolektive etj, të cilat anëtarëve sindikal u garantojnë imunitet dhe punëtorëve të drejta të organizohen nëpër sindikata.

“Me këtë akt arrogant, menaxhmenti i KEDS-it sfidon edhe organet kompetente, si Inspektoratin e Punës dhe Institucionet ligjore të vendit dhe jashtë saj”, vazhdon reagimi i BSPK-së.

BSPK ka paralajmëruar se do të kërkojnë edhe ndihmë ndërkombëtare tek Konfederata Botërore e Sindikatave (ITUC – International Trade Union Confederation), në Organizatën Ndërkombëtare të Punës – ONP/ILO, në Rrjetin Global të Sindikatave Elektro-energjetike (GPTU -Global Power Trade Union) dhe tek Sindikatat Turke HAK-IS dhe TURK-ISH, organizata me të cilat BSPK bashkëpunon ndër vite.

Ndërsa Rashit Gashi ka njoftuar se do ta ndjekë këtë rast përmes rrugëve ligjore.

“Nga sot, unë vazhdoj betejen time në mbrojtje të dinjitetit të punëtorëve dhe timin personal përmes rrugëve ligjore, në shtetin e së drejtës”, ka shkruar Gashi në Facebook.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të KEDS në lidhje me këtë largim nga puna, për arsyet e largimit dhe pretendimet e tjera të Gashit, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

14 shkurt 2020, ora 17:22

Pas publikimit të artikullit, në orën 16:46, KALLXO.com ka pranuar përgjigje nga KEDS në lidhje me pretendimet e Rashit Gashit për largim nga puna.

KEDS ka deklaruar se nuk e ka larguar Gashin nga puna, por të njëjtit i ka përfunduar kontrata e punës.

“Të nderuar, ne nuk e kemi larguar punëtorin në fjalë nga puna. KEDS-i ka vendosur që të mos ia vazhdojë më kontratën. Kjo nuk ka të bëjë me organizimin sindikal, për çka menaxhmenti i KEDS-it e ka njoftuar edhe sindikatën. KEDS-i është përmbajtur të gjitha ligjeve dhe do të përmbushë të gjitha obligimet kontraktuale”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it për KALLXO.com

*Ky artikull është plotësuar me përgjigjen e KEDS-it, pas publikimit të artikullit.