Teatri Kombëtar i Kosovës - Foto: Atdhe Mulla

‘Bryma e vdekjes’ jepet sot reprizë në Teatrin Kombëtar

Drama “Bryma e vdekjes” me tekst të Milazim Krasniqit dhe regji të Burbuqe Berishës jepet reprizë, sot, në ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja është realizuar në kujtim të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Të përzënë me dhunë nga policia dhe ushtria serbe, në vitin 1999, qindra mijëra shqiptarë nga Kosova u grumbulluan në Kampin e Bllacës në Maqedoni, në kushte shumë të vështira.

“Bryma e vdekjes” jep një tablo trishtuese të asaj se çfarë përjetoi një familje nga Kosova, në mesin e qindra mijëra shqiptarëve që ishin grumbulluar në Kampin e Bllacës.

Në shfaqje luajnë: Afrim Muçaj, Naim Berisha, Bujar Ahmeti, Teuta Krasniqi, Albulena Kryeziu, Blerta Deliu-Kodra, Ismet Azemi, Xhejlane Godanci, Valmir Krasniqi etj.