Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Brnabiq reagon ndaj thirrjeve të BE-së që Kosova dhe Serbia t’i japin fund retorikës nxitëse

Kryeministrja së Serbisë, Ana Brnabiq, e ka quajtur “shaka të pakëndshme” deklaratën e Bashkimit Evropian ku ftohen liderët politikë në Kosovë dhe Serbi që menjëherë t’i japin fund retorikës nxitëse.

Sipas Bernabiqit, “përveç një deklaratë të kotë, BE-ja nuk ka bërë asgjë ndaj provokimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me konfliktin e armatosur me serbët”.

“Për 175 ditë, Kurti provokoi një konflikt të armatosur me serbët. Dhe atë në një vit që do të mbahet mend si viti në të cilin ai ua hoqi të drejtat më elementare të njeriut po atyre serbëve në Kosovë – duke i ndaluar të votojnë. Përveç një deklarate të kotë me shkrim, BE-ja nuk ka bërë absolutisht asgjë për këtë”- ka shkruar Brnabiq dje në Twitter.

 

Ajo ka thënë se në anën tjetër “Serbia është e vendosur për paqe dhe stabilitet”.

Ky reagim i Brnabiq vjen pas deklaratës ku BE-ja ka shprehur shqetësim për deklaratat në të cilat përmenden lufta dhe konflikti, dhe ka shtuar se “do t’i mbaj përgjegjës liderët politikë për çfarëdo përshkallëzimi të situatës në rajon”.

Kështu thuhet në deklaratën e 14 gushtit të BE-së, dërguar nga zëdhënësi, Peter Stano.

“Rritja e retorikës nxitëse kohëve të fundit nga ana e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, në veçanti deklaratat rreth luftës dhe konfliktit në Ballkanin Perëndimorë paraqesin shqetësim të madh. Politikanët e lartë nga të dyja palët do të mbahen përgjegjës për çfarëdo përshkallëzimi që mund të qoj deri tek ndonjë rritje të tensioneve dhe potencialisht në dhunë në rajon”- thuhet në këtë deklaratë.

Por, sipas kryeministres Brnabiq, BE-ja mban fajin kryesor për situatën aktuale.

Ajo ka thënë se po afrohen dhjetë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit, të cilën BE-ja nuk mund ta zbatojë.

“Është e trishtueshme të shohësh që BE-ja nuk e sheh fajin e saj për vendin ku jemi sot. Nëse BE-ja do të kishte bërë pjesën e saj – të siguronte zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe të garantonte të drejtat themelore të njeriut të serbëve në Kosovë – gjërat do të dukeshin shumë ndryshe sot”- ka thënë Brnabiq.

Deklarata e BE-së erdhi katër ditë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku.

Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 18 gusht në Bruksel me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarin e BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 11 gusht se është skeptik sa i përket arritjes së ndonjë rezultati në rundin e ri të dialogut.

“Po shkoj në Bruksel për të biseduar, nuk shpresoj për ndonjë rezultat, por po shkoj për bisedime” – ka thënë ai për mediat në Beograd.

Palët janë ftuar në dialog pas tensioneve në veri të Kosovës, ditë më parë.

Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për zbatim të vendimit për targat dhe dokumentet serbe nga 1 gushti.

Sipas vendimit të Qeverisë, pronarët e makinave me targa të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga autoritetet serbe – duhet t’i riregjistrojnë ato në RKS.

Po ashtu, të gjithë shtetasit serbë, do të duhet të pajisjen me një dokument për hyrje/dalje në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.

Kosova e ka zbatuar për pak orë më 1 gusht, pasi e ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator, me qëllim të uljes së tensioneve në veri. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar po ashtu një shtyrje të tillë, ndonëse kanë thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë këto vendime.