Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, Foto: Balkan Insight/EPA/EFE

Brnabiq komenton deklaratën e Escobarit: Nëse kushtëzohet Asociacioni, dialogu është i kotë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka komentuar deklaratën e Gabriel Escobar, të dërguarit të Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, i cili ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë shtet brenda shtetit dhe duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, raporton N1.

“Nëse e vendosni atë në përputhje me ligjet e tyre, e bën të kotë të gjithë dialogun, nëse ata vetë nuk i respektojnë, dhe Prishtina nuk e respekton Kushtetutën e saj. Nëse e respekton, nuk do të kishte ushtri të Kosovës, sepse në atë Kushtetutë thuhet që duhen pyetur serbët, por nuk janë pyetur”, deklaroi Brnabiq.

Brnabiq ka thënë se nuk është optimiste për diskutimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe  në takimin e 18 gushtit.

“Dje kam pasur një takim me ambasadorin amerikan Christopher Hill, kam thënë që shpresoj në qasje konstruktive, nuk shoh se ka vend për bisedë me Kurtin, ai nuk ka dëshirë”, tha ajo.

Brnabiq shqetësohet edhe se përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell, ka thënë se nuk mund ta detyrojnë Prishtinën të bëjë asgjë, ndërsa BE-ja është garantuese e marrëveshjes së Brukselit.

“Ne duhet ta ruajmë paqen, sado e vështirë të jetë – nuk ka qenë kurrë më e vështirë”, thekson ajo.