Britanikët mirëpresin emërimin e Kurtit si mandatar, kërkojnë formimin e qeverisë së re

Ambasada Britanike në Kosovë ka mirëpritur emërimin e Albin Kurtit për mandatar të formimit të qeverisë së re nga ana e presidentit të vendit Hashim Thaçi.

Sipas britanikëve, qytetarët e Kosovës kanë pritur gjatë dhe vullneti i tyre i shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit duhet të respektohet.

“Votuesit kosovarë kanë pritur tre muaj e gjysmë për këtë moment. Shpresa dhe dëshira e tyre për ndryshim, e shprehur në mënyrë të qartë më 6 tetor, meriton të respektohet”, thuhet në njoftim.Tutje në këtë njoftim Ambasada Britanike në Kosovë ka shprehur dëshirën e saj që për përparim në negociata në mënyrë që sa më shpejtë të formohet qeveri a re.“Politikanët e zgjedhur të Kosovës dhe partitë e tyre tani duhet të tregojnë guxim dhe kreativitet në formimin e një qeverie që pasqyron dëshirat e elektoratit. Ne bëjmë thirrje për përparim të shpejtë në negociata, në një frymë tolerance dhe partneriteti”, thuhet në njoftim në facebook.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se e ka dërguar zyrtarisht propozimin për mandatar për kryeministër nga Vetëvendosja, Albin Kurtin, në Kuvendin e Kosovës.

“Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi në ‘Facebook’.

Mëngjesin e sotëm Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për mandatar të qeverisë së re Albin Kurtin. Përmes një letre, sekretarja e përgjithshme e VV-së iu ka drejtuar Presidentit Thaçi në të cilën e propozon Kurtin për mandatar për formimin e qeverisë. Nga sot, edhe zyrtarisht ka nisur afati prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit të ri sipas Kushtetutës së Kosovës.