
Britania e Madhe, Foto: Pixabay
Britania paralajmëron Putinin, pasi anija përgjuese ruse rikthehet në ujërat britanike
Flota Ushtarake Mbretërore e Britanisë së Madhe ka monitoruar një anije përgjuese ruse, pas hyrjes së saj në ujërat britanike në fillim të javës – ka bërë të ditur të mërkurën, më 22.01.2025, Sekretari i Mbrojtjes – raporton BBC.
John Haeley ka thënë se anija “Yantar” është përdorur për mbledhjen e informacioneve të inteligjencës dhe të hartëzimit të infrastrukturës nënujore kritike të Mbretërisë së Bashkuar.
Ai ka thënë se incidenti është “një tjetër shembull i rritjes së agresionit rus”.
“Dua gjithashtu që presidenti Putin të dëgjojë këtë mesazh: ne po ju shohim, ne e dimë çfarë po bëni dhe ne nuk do të sprapsemi prej veprimit të vendosur për ta mbrojtur këtë vend.” – theksoi ai.
Rusia e përshkruan “Yantarin” si anije kërkimore shkencore oqeanore dhe se po operohej prej Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Shtetet perëndimore shpesh kanë vërejtur anijen duke operuar në ujërat europiane dhe dyshojnë se pjesë e misionit të saj është krijimi i një harte të kabllove nënujore.
Ato besojnë gjithashtu se Rusia ka rritur numrin e këtij aktiviteti, prej nisjes së agresionit të plotë kundër Ukrainës.
Bashkë me pajisjet e përgjimit, anija mund të operojë edhe dronë nënujorë të aftë për të arritur deri në shtratin oqeanor.
Infrastruktura nënujore është qenësore për furnizimin me energji të kabllove dhe tubave, derisa 95% e trafikut të internetit sigurohet gjithashtu nëpërmjet kabllove nënujore.
Healey ka thënë se “Yantari” së fundmi ka lundruar në Detin e Veriut, pasi ka kaluar përgjatë ujërave britanike dhe ishte spikatur rreth 10 kilometra larg bregut britanik në Kanalin Anglez të hënën.
Ai ka thënë se Qeveria britanike po fuqizon kundërpërgjigjen ndaj aktivitetit detar rus, në koordinim me aleatët e NATO-s. Ai ka thënë se Forca Ajrore Mbretërore e Britanisë do të ofrojë monitorim ajror për t’iu bashkuar një misioni të NATO-s, për mbrojtje të infrastrukturës kritike në Detin Baltik.
Zhvillimi ka ardhur pasi një kabllo nënujore ndërmjet Estonisë dhe Finlandës u dëmtua në dhjetor, me Policinë finlandeze që po heton nëse në këtë punë kishte gisht një anije ruse.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com