
Apple/iPhone. Foto: KALLXO.com
Britania kërkon qasje në të dhënat e enkriptuara të përdoruesve të Apple-s
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka kërkuar që të ketë qasje në të dhënat e koduara të ruajtura nga përdoruesit e Apple në mbarë botën në shërbimin e saj cloud, ka raportuar të premten më 07.02.2025 televizioni britanik, BBC.
Aktualisht vetëm përdoruesi i llogarisë Apple mund të ketë qasje në të dhënat e ruajtura në këtë mënyrë. Vetë gjiganti i teknologjisë nuk mund ta shohë përmbajtjen.
Ligjërisht, njoftimi i dorëzuar nga Ministria e Brendshme sipas Ligjit të Kompetencave Hetuese, nuk mund të bëhet publik dhe Apple nuk ka pranuar të komentojë.
Lajmi u raportua fillimisht nga “Washington Post” duke cituar burime të informuara me këtë çështje dhe BBC-ja ka folur me burime të ngjashme.
Ministria e Brendshme ka deklaruar: “Ne nuk komentojmë çështje operative, duke përfshirë për shembull konfirmimin ose mohimin e ekzistencës së ndonjë njoftimi të tillë”.
Njoftimi zbatohet për të gjithë përmbajtjen e ruajtur duke përdorur Mbrojtjen e Avancuar të të Dhënave të Apple (ADP), që kodon të dhënat që do të thotë se vetë Apple nuk mund t’i shohë.
Ky është një shërbim vullnetar dhe jo të gjithë përdoruesit zgjedhin ta aktivizojnë, sepse nëse nuk kanë qasje në llogarinë e tyre për ndonjë arsye, enkriptimi i shtuar do të thotë se nuk ka asnjë mënyrë që të tërhiqen fotografitë, videot dhe informacionet e tjera të ruajtura.
Por njoftimi i qeverisë nuk do të thotë se autoritetet do të fillojnë papritmas të analizojnë të dhënat e të gjithëve.
Ata duhet të ndjekin një proces ligjor, të kenë arsye të mirë dhe të kërkojnë leje për një llogari specifike në mënyrë që të kenë qasje në të dhëna – ashtu siç bëjnë tani me të dhënat e pakriptuara.
Apple ka thënë më parë se do të tërheqë shërbimet e sigurisë nga tregu i Mbretërisë së Bashkuar në vend që të përmbushë çdo kërkesë të qeverisë që t’i zbutë duke krijuar të ashtuquajturat “dyert e pasme” që t’u japë autoriteteve qasje në të dhënat e përdoruesit sipas kërkesës.
Dhe tërheqja e produktit nga Britania e Madhe mund të mos jetë e mjaftueshme për të siguruar pajtueshmërinë – Ligji i Kompetencave Hetuese zbatohet në mbarë botën për çdo firmë teknologjike me një treg në Mbretërinë e Bashkuar, edhe nëse ato nuk janë të vendosura në Britani.
Gjiganti i teknologjisë mund të apelojë kundër kërkesës së qeverisë, por nuk mund të vonojë zbatimin e vendimit gjatë procesit edhe nëse ai përfundimisht anulohet, sipas legjislacionit.
Qeveria argumenton se kriptimi u mundëson kriminelëve të fshihen më lehtë dhe FBI-ja në SHBA ka qenë gjithashtu kritike ndaj mekanizmit ADP.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com