Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian ndajnë rrugët - Foto: Ilustrim

Britania ik, periudha e vështirë e tranzicionit vjen pas

Bashkimi Evropian e la të ikë Mbretërinë e Bashkuar. Me votimin përfundimtar, të mërkurën në Parlamentin Evropian, divorci – i njohur si Brexit – merr fund të premten.

Në një seancë në Bruksel, të ngarkuar edhe me emocione, ligjvënësit votuan me 621 vota për dhe 49 kundër Brexit-it.

“Ne do t’ju duam gjithmonë dhe kurrë nuk do të jemi larg”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke iu adresuar ligjvënësve britanikë.

Pas Brexit-it, më 31 janar, do të nisë periudha e tranzicionit midis BE-së dhe Britanisë, gjatë së cilës palët do të diskutojnë marrëdhëniet e ardhshme tregtare. Tranzicioni pritet të zgjasë së paku deri më 31 dhjetor, 2020.

“Tani e tutje bëhet fjalë për partneritetin tonë të ri me Mbretërinë e Bashkuar. Negociatat do të nisin dhe për të qenë e qartë: Unë dua që Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar të mbeten miq të mirë dhe partnerë të mirë. Bëhet fjalë për miq të vjetër dhe fillime të reja”, tha von der Leyen.

Vendet e BE-së janë të përgatitura edhe për mundësinë që bisedimet për marrëveshje të re tregtare me Britaninë të mos kenë sukses deri në fund të vitit.

Britania synon marrëveshje gjithëpërfshirëse tregtare brenda 11 muajsh, por ky plan kohor konsiderohet si tejet ambicioz nga vëzhguesit e diskutimeve mbi tregtinë.

“Ne nuk do t’i nënshtrohemi asnjë presioni dhe asnjë ngutie”, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Paris.

“Prioritet është t’i përcaktojmë, në një afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë, interesat e Bashkimit Evropian dhe t’i ruajmë ato”, tha Macron.

Von der Leyen tha se parakusht për t’i garantuar Britanisë qasje të favorshme në tregun e BE-së – prej gati gjysmë miliardi konsumatorësh – është që “bizneset evropiane dhe britanike të vazhojnë të konkurrojnë në një fushë të lojës”.

“Ne duam të krijojmë një partneritet të ngushtë. Por, po ashtu e dimë se duhet të vendosim se si ta trajtojmë Britaninë si një vend të tretë”, tha von der Leyen.

Ligjvënësi britanik i Parlamentit Evropian, Nigel Farage, i cili për dy dekada ka bërë fushatë për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, tha se tani “gjithçka mori fund”.

“Dua që Brexit-i të nisë debatin edhe në pjesën tjetër të Evropës: Çfarë duam nga Evropa? Nëse duam tregti, miqësi, bashkëpunim, reciprocitet, ne nuk kemi nevojë për një Komision Evropian, nuk kemi nevojë për një gjykatë evropiane, nuk na duhen këto institucione”, tha Farage.

Britania do të largohet nga Bashkimi Evropian pas 47 vjetësh të anëtarësisë. Është vendi i parë që lë BE-në.

Vendimi për Brexit është marrë në një referendum të mbajtur në vitin 2016. /REL