Foto ilustrim nga profili në Facebook i David Lammy

Britania i godet me sanksione trafikantët ballkanas të qenieve njerëzore

Bandat dhe gangsterët e Ballkanit – disa prej të cilëve të ekspozuar në hulumtimet e BIRN-it – spikasin në listën e emrave të 25 trafikantëve të qenieve njerëzore, të sanksionuar nga Qeveria britanike

Dy trafikantë të njohur të qenieve njerëzore me qëndrim në Serbi, të dy më parë të ekspozuar me emra e mbiemra në hulumtimet e BIRN-it, janë në mesin e 25 bandave dhe gansterëve nga Ballkani që janë shënjestruar me sanksione të drejtpërdrejta që Mbretëria e Bashkuara ua ka vënë të mërkurën trafikantëve të dyshuar të qenieve njerëzore.

Sekretari i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, David Lammy, e ka quajtur pakon “moment të shquar në punën e qeverisë për luftimin e krimit të organizuar të imigrantëve (dhe) për reduktimin e migrimit të parregullt drejt Mbretërisë së Bashkuar”.

Në mesin e individëve dhe entiteteve të sanksionuara janë Alen Basil, ish-përkthyes policie, i cili drejtonte një rrjet të madh trafikimi në Serbi, duke i shantazhuar refugjatët se do t’i ndihmonte t’i korruptonin policët serbë, sikur se ka vënë në pah një hulumtim i vitit 2022 i BIRN-it.

Basil është mësuar se po heton në një shtëpi në Serbi që kap vlerën e më shumë se një milion eurove, blerë me paratë që ua kishte marrë migrantëve.

Në mesin e të sanksionuarve është edhe Mohammed Tetwani, i vetëshpalluri “Mbret i Horgos”, i cili menaxhon një kamp migrantësh në Horgos, në Serbinë veriore, dhe një bandë trafikimit të qenieve nejrëzore të njohur për trajtimin e dhunshëm të refugjatëve të cilët refuzojnë shërbimet e tyre ose që nuk mund t’i paguajnë sipas shumave të kërkuara prej tyre.

Tatwani ishte përmendur në një hulumtim të BIRN-it më 2023.

Një tjetër emër në listë është Bledar Lala, bosi i dyshuar shqiptar i një grupi të krimit të organizuar kriminal që trafikon migrantë nga Belgjika matanë Kanalin Anglez në Mbretërinë e Bashkuar.

Lista përfshin edhe tetë banda ose krerë të bandave nga Ballkani që besohet se ofrojnë pasaporta të falsifikuara për migrantët ilegalë.

Ato përfshijnë bandat malazeze, “Kavaç” dhe “Skaljari”, dhe gjashtë anëtarë individual bandash – Dalibor Çurlik, Almir Jahoviq, Marko Petroviq, Nikola Vein, Ratko Zhivkoviq dhe Dejan Palvloviq.

Entitetet dhe gangsterët e tjerë të sanksionuar janë të lidhur kryesisht me njerëz që kryejnë operacione trafikimi nga Iraku, Kina dhe Afrika veriore.

Sanksionet përfshijnë ngrirje asetesh dhe ndalim udhëtimi.

Masat reflektojnë shqetësimin publik në rritje lidhur me migrimin e parregullt drejt Mbretërisë së Bashkuar sivjet, që ka sjellë edhe trazira anti-migrante dhe kaos në Ballymena në Irlandën Veriore dhe në Epping, në lindje të Londrës sivjet.

Këto pasuan trazirat në Southport në Uells vjet – të fundit u shkaktuan prej thashethemeve të rreme se një migrant mysliman kishte vrarë tri vajza; vrasësi në fakt ishte nga Ruanda.

Diku rreth 37 mijë persona kanë kaluar Kanalin Anglez më 2024 dhe më shumë se 22 mijë deri tani sivjet, duke rezultuar me faturë të majme për qeverinë britanike që u mor me akomodimin e tyre, dhe që ndikoi në fuqizimin e popullaritetit të partisë së djathtë ekstreme Partia Reforma.

Derisa liderët qeveritarë u thurin lavde masave të reja si vendime “historike”, shumëkush ka vënë në dyshim efektivitetin e tyre.

Kritikët thonë se masat kanë për cak vetëm asetet që i kanë në Mbretërinë e Bashkuar, derisa shumica e krerëve të bandave me gjasë shumicën e aseteve të tyre i kanë jashtë territorit britanik.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com