Britania e Madhe mirëpret emërimin e Lajçakut

Mbretëria e Bashkuar mirëpret emërimin e Mirosllav Lajçak si Përfaqësues Special i BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

Në një komunikatë thuhet që Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur prej kohësh dialogun e lehtësuar nga BE si rrugë për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme për normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për të siguruar përparim drejt anëtarësimit në BE.

Po ashtu, në komunikatë thuhet që Mbretëria e Bashkuar vazhdon , si pjesë e një qasjeje të unifikuar ndërkombëtare, për të mbështetur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, duke respektuar integritetin territorial, i cili është i pranueshëm për qytetarët e të dy vendeve dhe do të japë përfitime afatgjata për ta dhe për të gjithë rajonin .

Këshilli i BE-së, ka njoftuar se ka emëruar sot Miroslav Lajçak si Përfaqësues Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

Detyrat e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jenë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi midis partnerëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar ata të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës dhe të kontribuojnë në konsistencën dhe efektivitetin e veprimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Lajçak do të marrë detyrat e tij menjëherë, me një mandat fillestar prej 12 muajsh .

Lajçak është një diplomat sllovak që më parë ka shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë dhe si President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për seancën e 72-të (2017-2018). Ai ishte Përfaqësues Special i BE-së për Bosnje-Hercegovinën nga 2007-2009, ndërsa gjithashtu vepronte si Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare atje. Si një i dërguar personal i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së negocioi, organizoi dhe mbikëqyrë referendumin për pavarësinë e Malit të Zi në 2006 në emër të Bashkimit Evropian.

Emërimi i Lajçak është mirëpritur edhe nga Gjermania dhe Franca. Po ashtu edhe, Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, ka mirëpritur emërimin e Miroslav Lajçak si Përfaqësues Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.