Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

Britania dislokon trupa në Kosovë, do të stërviten me KFOR-in

Një kontingjent prej mbi 300 trupash nga Mbretëria e Bashkuar do të vendoset përkohësisht në Kosovë dhe do të kryejë një sërë aktivitetesh stërvitore, së bashku me trupat e tjera të KFOR-it.

Kështu ka bërë të ditur KFOR, e përmes të njëjtit njoftim tregoi se ky mision do të zhvillojë një trajnim rutinë të stërvitjes provuese operative me një nga njësitë rezervë të caktuara të NATO-s nga sot, 18.09.2024 e deri në fund të tetorit.

Qëllimi i këtij ushtrimi u tha se është të testojë procedurat ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre me misionin e KFOR-it.

Po ashtu u tha se stërvitja mbështet gatishmërinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur zhvillimeve përkatëse të sigurisë, në mënyrë që të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm dhe efektiv të mandatit të tyre në Kosovë.

Në përfundim të stërvitjes, kontingjenti do të ridislokohet dhe do të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar.

KFOR-i njoftoi se do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të zbutur efektet në trafikun rrugor, të cilat mund të priten si rezultat i lëvizjeve të personelit ushtarak dhe automjeteve në prag dhe gjatë këtij ushtrimi.