Dominic Raab/rel/

Britania dhe SHBA-ja kundërshtojnë fushatën destabilizuese ruse

Britania dhe Shtetet e Bashkuara “fuqishëm kundërshtojnë fushatën destabilizuese në Ukrainë” dhe i bëjnë thirrje Rusisë që të ndihmojë në uljen e tensioneve, tha më 11 prill Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab.

“Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe unë jemi pajtuar që Rusia menjëherë duhet të ndihmojë në përmirësimin e situatës dhe t’u përmbahet zotimeve që ka me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë”, tha Raab përmes një postimi në Twitter.

Në afërsi të kufijve mes Rusisë dhe Ukrainës, por edhe në gadishullin ukrainas të Krimesë, janë parë forca të shtuara të ushtrisë ruse, gjë që ka rritur shqetësimet se Moska po përgatitet që të dërgojë trupa në lindje të Ukrainës.

Kremlini ka hedhur poshtë thirrjet e Perëndimit që të tërheqë trupat, duke mohuar se ato paraqesin kërcënim dhe duke shtuar se lëvizjes ushtarake brenda Rusisë janë çështje e brendshme e Moskës zyrtare.

Deklarata e sekretarit Raab vjen një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy informoi homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan për situatën në shtetin e tij.

Pas bisedimeve në Stamboll, Erdogan tha se janë “shqetësuese” zhvillimet e fundit dhe shtoi se shpreson se konflikti mund të zgjidhet në mënyrë paqësore përmes dialogut, duke respektuar integritetin territorial të Ukrainës.

“Ne besojmë se kriza aktuale mund të zgjidhet përmes formave paqësore dhe diplomatike, që duhet të kenë për bazë integritetin e Ukrainës dhe ligjin ndërkombëtar”, tha Erdogan.

Në anën tjetër, Uashingtoni e ka quajtur “destabilizues” vendimin e Moskës për të vendosur trupat ushtarake përgjatë kufirit .

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken më 9 prill është konsultuar edhe me ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës mbi nevojën që Rusia duhet të tërheqë trupat nga kufiri me Ukrainën dhe nga Krimeja.

Rusia ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në mars të vitit 2014. Perëndimi thotë se ajo mbështetë edhe separatistët në lindje të Ukrainës, të cilët po luftojnë kundër forcave qeveritare ukrainase.

Nga ky konflikt janë vrarë mbi 13.000 persona dhe janë zhvendosur mbi një milion të tjerë./REL