Brigada e Zjarrfikësve tregon se si intervenuan në banesën në Fushë Kosovë

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Malë Gashi ka treguar shkaktarët e djegies së objektit banesor të premten në mesditë në Fushë Kosovë.

Sipas Gashit, shkaktari kryesor ka qenë materiali sfungjeror i mobilieve në këtë banesë, i cili është djegur dhe ka rritur temperaturën në dhomë.

“Ekipit kanë ardhë menjëherë në vendin e ngjarjes, i kanë shtru gypat për shuarjen e zjarrit dhe kur kanë hy tek banesa në katin e pestë kanë pa se është kriju temperaturë shumë e madhe nga zjarri, për shkak se aty ishin duke u ndezur një numër i madh i kauqave dhe sfungjerave”- ka deklaruar Gashi.

Pavarësisht kësaj, ai është shprehur se ende nuk mund ta dinë se sa ka qenë sasia e këtij materiali, pasi sipas tij, ka pasur diçka shtesë në këto mobilie që ka krijuar temperaturë të madhe.

Si rezultat i kësaj, për shkak të tymit tre persona nga kati i sipërm ku ka qenë zjarri, janë evakouar.

“Janë evakouar dy të rritur edhe një fëmijë ndoshta i moshës 10-vejçare se kanë mbet dhe nuk kanë mund me dal për shkak të temperaturës edhe tymit që është kriju, sidomos çështja e sfungjerit krijon tym shumë të madh edhe të dendur edhe është një tym i cili mundet m’i ngulfatë njerëzit shpejt”- ka thënë Gashi.

Ndërsa, KALLXO.com përderisa ka qëndruar në vendin e ngjarjes, ka marrë vesh se një fëmijë i moshës rreth 15-vjeçare ka arritur të shpëtohet nga Policia e Kosovës.

Siç ka mësuar KALLXO.com, i mituri ka qenë në gjumë brenda objektit banesor dhe policia ka arritur në kohë ta shpëtojë.

Ndërkaq, katër persona kanë marrë trajtim mjekësor, dy prej tyre zyrtarë policorë, për shkak të tymit, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Në anën tjetër, Gashi ka përmendur dy çështje që kanë nevojë të zgjidhen në Brigadën të cilën ai udhëheq, njëra është numri i personelit të kësaj brigade i cili është shumë i vogël dhe se mungojnë 65 zjarrfikës dhe tjetra janë automjetetet e kësaj brigade.

“Pra kapacitetet të cilat i kemi, ne nuk i kemi të mjaftueshme as vetëm për kryeqytetin, sepse në kuadër tonë të përgjegjësisë aktualisht e kemi komunën e Fushë Kosovës, Obiliqit dhe Graçanicës” ka përfunduar Gashi.

Zjarri ka përfshirë një objekt banesor sot në mesditë në Fushë Kosovë.

Policia e Kosovës ka thënë për KALLXO.com se për shkak të zjarrit në banesë nuk raportohet për të lënduar.

“Sot rreth orës 12:00, është raportuar se  një objekt (banesë) në rrugën Hajrullah Zymi në Fushë Kosovë, është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit”- ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Nuk raportohet për persona të lënduar, mirëpo si pasojë e problemeve me frymëmarrje (nga tymi) tretman mjekësor kanë pranuar 4 persona (dy nga ta zyrtarë policor)”.

Sipas saj, zjarri është lokalizuar dhe policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.