Breshëri shkakton dëme të mëdha në Skenderaj - FOTO

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari u ka bërë thirrje qytetarëve që nga java e ardhshme të aplikojnë për kompensim të dëmeve si pasojë e reshjeve të fundit.

Ai në rrjetin Facebook potencoi se ka shumë dëme në kulturat bujqësore.

“Reshjet e shiut dhe breshëri i rënë sot në disa fshatra të komunës sonë, fatkeqësisht ka shkaktuar shumë dëme në kulturat bujqësore të fermerëve tone”, tha ai.

“Si qeverisje komunale kemi të formuar komisionin për verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, andaj kërkoj nga ju që gjatë javës së ardhshme të aplikoni në komunën tonë për kompenzim të dëmeve, të cilat pas vlerësimit nga komisioni komunal do të përcillen drejtë Ministrisë së Bujqësisë për kompenzim”, shtoi tutje Jashari.

Jashari ka motivuar fermerët që të  vazhdojnë punën e tyre dhe të mos ndalen si shkak i dëmeve të tilla.

Kallxo.com sot gjatë ditës ka raportuar për reshje të breshrit në Drenas.