Brenda shkollës "Model Qamil Batalli" në Prishtinë ku po zhvillohet mësimi tërëditor

“Qysh kemi qenë atëherë, që nuk e kemi pasë mësimin tërëditor, kemi pasë dëmtim të syve që kemi nejt shumicën e kohës në telefon”, kjo është një nga arsyet se pse Jana Dragushës, nxënëses së klasës së pestë në shkollën “Model-Qamil Batalli” në Prishtinë, po i pëlqen më shumë mësimi tërëditor.

E nënës së dy vajzave që mësojnë në këtë shkollë, Fatma Ugljić nuk i ka konvenuar mësimi i zakonshëm.

“Shkaku që kam pas vajzat me orare të ndryshme në shkollë, nuk kam mujtë me punu, është dashtë me lanë punën” – tregon ajo.

Në shkollën “Model-Qamil Batalli” në kryeqytet mësimi tërëditor po zhvillohet tash e më shumë se dy muaj në vitin shkollor 2024/2025.

Aty, për rreth shtatë orë, nxënësit e klasave 1 deri 5 mësojnë fillimisht me mësuesin e klasës, pastaj u shërbehet një shujtë e ushqimit falas dhe vazhdojnë me aktivitete jashtakurrikulare me mësuesë e mësuese të ndryshëm, të fushave përkatëse.

Ndonëse, mësimi tërëditor u shoqërua me ankesa e peticione nga disa prindër e mësimdhënës, drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu është e sigurt se gjithçka është sqaruar dhe planifikojnë që mësimin tërëditor ta zgjerojnë edhe në shkoll të tjera të Prishtinës.

Përveç shkollës “Model-Qamil Batalli” në Prishtinë, më 02.09.2024, mësimi tërëditor ka filluar edhe në “Shkollën e Gjelbër”, kurse më 30.09.2024, filloi edhe në tri shkollat tjera – “Xhemail Mustafa”, “Faik Konica” e “Nazim Gafurri”.

Mësimi tërëditor fillon rreth orës 08:20 dhe mbaron rreth orës 15:20, ndërsa vlen për nxënësit e klasave 1 – 5. Nxënësit e klasave 6 – 9 të shkollave në Prishtinë ku ka mësim tërëditor u është dashur të zhvendosen në shkolla tjera të afërta.

Në rastin e shkollës “Model-Qamil Batalli”, nxënësit e klasave 6 – 9 kanë kaluar në shkollën “Emin Duraku” të Prishtinës, ndërsa nxënësit e klasave 1 – 5 të shkollës “Emin Duraku” kanë kaluar në shkollën “Model-Qamil Batalli”.

Mësimi tërëditor në rutinën e nxënësve e prindërve

Jana Dragusha, nxënëse në shkollën “Model-Qamil Batalli” e vlerëson më shumë mësimin tërëditor pasi thotë se i bëjnë detyrat e shtëpisë në shkollë.

“Ma e mirë te mësimi tërëditor është që tash edhe po mësohemi për klasën e gjashtë edhe me ma shumë arsimtarë, tani nëse dalim në klasën e gjashtë na duket pak ma e vështirë” – ka thënë Dragusha.

Ushqimi që u shërbehet në shkollën “Model-Qamil Batalli”, Jana thotë se është i shëndetshëm dhe i ndryshëm çdo ditë. Pasi ushqehen ajo ka treguar se çka mësojnë.

“Jena t’u mësu edhe programim, scratch në kompjutera. Dalim në tabelën digjitale… Lojërat matematikore, se aty edhe po i përsëritim mësimet në Matematikë, po edhe po kemi si kuize të ndryshme” – tregon ajo.

Dy vajzat e Fatma Ugljić, njëra nxënëse në klasën e parë dhe tjetra në klasën e dytë në shkollën “Model-Qamil Batalli”, bëjnë aktivitete të ndryshme sipas saj.

Pasi i kryejnë detyrat e shtëpisë në shkollë, kjo për Ugljić është lehtësi për prindërit dhe jo vetëm, pasi ajo më parë kishte lënë punën për shkak të orarit të mësimit të zakonshëm të vajzave.

“Për prindër që janë në marrëdhënie pune, mësimi tërëditor është një lehtësi shumë e madhe se prindër që punojnë prej orarit tetë deri në katër, fëmija këtu qëndrojnë prej orës 07:45 deri në 15:45” – është shprehur Ugljić.

E babai i Janës, Besnik Dragusha, i cili edhe është kryetar i Këshillit të prindërve në shkollën “Model-Qamil Batalli”, mendon se mësimi tërëditor ka bërë reformim në aspektin e mësimdhënies dhe atë se fëmijët tashmë kanë shujta të ngrohta në shkollë.

Dragusha ka treguar se në fillim kishte pasur ankesa pasi nxënësit e klasave 6 – 9 të shkollës “Model-Qamil Batalli” kaluan në shkollën “Emin Duraku”, për t’i pranuar nxënësit e klasave 1 – 5 të shkollës “Emin Duraku” dhe të zhvillohej mësimi tërëditor.

“Ankesa nuk ka tani për mësimin tërëditor, në aspektin e ushqimit sa është cilësor dhe sa është i mirë, në këtë shkollë, këtë javë kanë qenë përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve, unë nuk kam marrë pjesë, po kanë marrë të tjerët dhe sipas informatave që i kam, janë shumë të kënaqur, kanë qenë për çdo ditë m’i shiju të gjitha shujtat dhe me shiku cilësinë e tyre” – ka thënë Dragusha.

Kombinimi i klasave me aktivitete e mësuese të ndryshëm

Rreth 848 nxënës të klasave 1 – 5 janë duke mësuar tërë ditën në shkollën “Model-Qamil Batalli”, ndërsa 44 mësimdhënës janë në shërbim të tyre.

Shkollës “Model-Qamil Batalli” u janë shtuar 11 mësimdhënës shtesë për shkak të mësimit tërëditor.

Fitore Thaqi është njëra nga mësimdhënëset që ka filluar punën në muajin shtator, 2024, për mësimin tërëditor.

Mësimdhënësja Thaqi është e angazhuar me nxënës të klasave 1 – 5, pasi u mëson aktivitetet jashtakurrikulare atyre, pra ajo nuk ka një klasë të caktuar të cilën e përcjell me mësim të zakonshëm – nga mëngjesi deri në drekë.

Se çfarë aktivitetesh u mëson nxënësve në kuadër të aktiviteteve jashtakurrikulare, Thaqi ka përmendur lëndën “Artet dhe Muzika”, në të cilën thotë se nxënësit krijojnë art dhe muzikë.

“Aktivitetet apo lëndë të cilat ne i zhvillojmë në kuadër të mësimit tërëditor me aktivitete ekstrakurrikulare përfshijnë lëndët – Artet dhe Muzika, pastaj jemi sporti, edukimi dhe mirëqenia, njëkohësisht i kemi dhe vizitat” – ka treguar Thaqi.

Edhe Thaqi e ka konfirmuar se nxënësit i realizojnë detyrat e shtëpisë me mësueset e klasës apo mësueset bazë.

Thaqi tha se kanë pasur planprograme të rregulluara nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë për t’u bazuar në realizimin e mësimit tërëditor, por nuk është se s’kanë pasur vështirësi në fillim kur ka nisur të aplikohej ky lloj mësimi.

“Numri i madh i nxënësve krijon vështirësitë në realizimin e mësimdhënies në disa mënyra, për shkak që mësimi tërëditor ka një kohëzgjatje më të madhe gjatë ditës” – ka thënë Thaqi.

Në anën tjetër, drejtori i shkollës “Model-Qamil Batalli”, Liridon Maliqi ka bërë të ditur se shkolla që udhëheq ishte provuar me mësimin tërëditor edhe më parë.

“Shkolla “Model-Qamil Batalli” ka qenë njëherë për dy vite 2015 – 2017, në mësim tërëditor projekt i cili ka qenë pilotprojekt, nga i cili janë nxjerr përparësitë dhe mangësitë, të cilat mangësi pastaj janë marrë parasysh nga të gjithë akterët që kemi qenë në grupe punuese” – ka thënë Maliqi.

Prej 46 shkollave, pesë me mësim tërëditor në Prishtinë 

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu tha se janë rreth 3,100 nxënës të përfshirë në mësim tërëditor këtë vit.

Me këtë rast, Lushaku-Sadriu u arsyetua se ka qenë përgjegjësi e madhe t’i përfshinin gati 4,000 nxënës përnjëherë në mësim tërëditor, prandaj e kanë filluar me dy shkolla, për t’u pasuar me tri tjera.

“Ne e kemi pas planin për të pesë shkollat, i kemi ndërtu edhe kuzhinat, anekset përcjellëse të cilat në disa prej tyre ka pasur pak vonesa të përfundimit, por ideja ka qenë nga fillimi të fillojmë me dy [shkolla] po gjatë shtatorit, d.m.th në fund të shtatorit hyjnë edhe tri të tjerat edhe normalisht që kemi dasht që me testu një muaj, sa po mund të qëndrojnë” – ka deklaruar Lushaku-Sadriu.

Por, Komuna e Prishtinës e ka në plan që mësimin tërëditor t’ua mundësoj edhe shkollave të fshatrave në këtë komunë.

“Në vitin e ardhshëm planifikojmë që të jetë dyfishi i këtij numri [5 shkolla] në mësim tërëditor, janë kryesisht shkollat të cilat kanë numër pak më të vogël të nxënësve por po shohim d.m.th gjeografikisht se cilat prej tyre mund të jenë, d.m.th janë duke u bërë analizat finale për të marrë vendimin se cilat do të jenë shkollat” – ka thënë Lushaku-Sadriu.

“Nëpër fshatra të Prishtinës kishte shkolla shumë mirë edhe shumë të reja të ndërtuara, në to është shumë lehtë me realizu mësimin tërëditor. Në fshatra e kemi veç një sfidë që nuk kemi shumë nxënës” – ka shtuar Lushaku Sadriu.

Sa i përket ankesave dhe peticioneve që u raportua se janë ngritur për shkak të mësimit tërëditor, Lushaku-Sadriu tha se kanë qenë nga 7-8 prindër “skeptikë” për këtë formë të mësimit.

“Në të gjitha shkollat kemi pas kështu ankesa ose peticione të nënshkruara nga 7-8 veta, të cilët kanë qenë prindër kryesisht skeptikë për idenë [e mësimit tërëditor] dhe nuk kanë besuar që Komuna e Prishtinës mund të qëndrojë dhe ta realizojë mësimin” – ka thënë ajo.

“Ka pas edhe lëvizje nga gjimnazet, d.m.th gjimnazi “Xhevdet Doda”, i cili nuk ka pas dëshirë d.m.th kryesisht stafi mësimor, nuk ka pas dëshirë me lëvizë prej shkollës, por ka qenë e nevojshme për të dyjat shkollat [“Xhemail Mustafa”,”Faik Konica”] se po të mos lëvizte gjimnazi “Xhevdet Doda” në gjimnazin matematikor, dy shkollat nuk do të mund ta realizonin mësimin tërëditor se kanë pas nevojë për hapësira ma shumë” – tha Lushaku-Sadriu.

Sipas Lushaku-Sadriut, Komuna e Prishtinës ka investuar mbi 2,000,000 euro në pesë shkollat ku po zhvillohet mësimi tërëditor, të cilat janë pajisur me tabela digjitale, inventar krejtësisht të ri – banka, karrike, dollapë individual për secilin nxënës. Ndërsa, ajo tha se paguajnë 2 euro për një nxënës për shujtën ditore nga Kuzhina Qendore.