Dogana e Kosovës - Foto: Rtv21

Brenda një muaji, Dogana e vlerëson produktin e njëjtë më çmime të ndryshme

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se Dogana e Kosovës në disa raste ka përdorur çmime të ndryshme gjatë vlerësimit të të njëjtave produkte.

Në raport, Auditori ka marrë për shembull një produkt të importuar, i cili ka të njëjtin vend të origjinës, biznesit e vendit eksportues, por që në periudha të ndryshme kohore çmimi faturues ka qenë i ndryshëm.

“Zyrtarët doganorë nuk kishin marrë parasysh këtë kërkesë të udhëzimit me rastin e përcaktimit të vlerës doganore të mallit të importuar në një rast, tek importi i artikullit përshkrimi fatural “laidies briefs onyildiz”. të importuar me terma të njëjta (biznesi, vendi origjinës, vendi eksportues, përshkrimi fatural dhe kushtet e dërgesës të njëjta), në periudha të ndryshme kohore, nuk janë rivlerësuar edhe pse çmimi i faturuar i artikujve të njëjtë ka qenë i ndryshëm”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori ka gjetur se brenda një muaji i njëjti mall, nga e njëjta origjinë, është rivlerësuar me çmime të ndryshme.

Në tetor të 2019, Dogana kishte vlerësuar një produkt dyfish më shumë nga ajo çfarë eksportuesi e kishte paraqitur.

Eksportuesi kishte paraqitur produktin si të blerë me 25 centë, mirëpo Dogana e kishte rivlerësuar me 50 centë.

Mirëpo, vetëm një muaj më vonë, Dogana të njëjtin produkt e kishte vlerësuar me 40 centë.

Sipas Auditorit, kjo praktikë i shkakton humbje Doganës.

“Ndikimi Mangësitë në kalkulimin e bazës doganore dhe mos aplikimi i çmimeve uniforme me rastin e rivlerësimit të bazës doganore, rezulton në trajtim jo korrekt dhe jo të barabartë të bizneseve si dhe shmangie në të hyra”, thuhet tutje në raport.

Tutje Auditori thotë  se këto situata ndodhin për shkak se një zyrtar doganor trajton shumë raste.

“Kjo kishte ndodhur për shkak të volumit të madh të rasteve të cilat i trajton një zyrtar doganor dhe pamundësisë për të vlerësuar deklaratat doganore në pajtim me kërkesat e kodit doganor”, thuhet në mes tjerash në raportin e ZKA-së.

Këtu mund ta gjeni raportin e Auditorit për Doganën e Kosovës për vitin 2019.