Postribë, Shqipëri. Foto: Teodor Gjerga

Brenda mureve të ftohta të ngujimit në Postribë të Shqipërisë

Është 5 janari, i vitit 2025 dhe njoftimi zyrtar i policisë së Shkodrës thotë se një 33-vjeçar, Ramazan Mataj, është gjetur i vrarë në automjetin e tij tip Benz me breshëri kallashnikovi në një rrugë dytësore në fshatin Dragoc, në Postribë.

Menjëherë policia e Shkodrës vihet në lëvizje dhe brenda 4 ditëve ngjarja dokumentohet e plotë.

Në komunikim për media, drejtuesi i parë i policisë së Shkodrës, Fatmir Lleshaj deklaron se janë arrestuar shtetasi Arjon Hasaj si i dyshuar i vrasjes ndërsa vëllain e tij Klisman Hasaj si bashkëpunëtor në krim. Përmes një profili të rremë në Instagram, Arjon Hasaj dyshohet se ka nxjerrë në pritë 33-vjecarin Ramazan Mataj duke e lënë të vdekur në vend. Arsyeja e krimit thuhet të jetë vendosja në vend e nderit të motrës që dyshohet se 33  vjeçari e ka përndjekur prej vitesh. Në deklaratën para policisë së Shkodrës Arjon Hasaj pohon krimin.

“Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vitet e fundit. Ai këtë histori ia ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjërë ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë. Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën. Unë hapa një llogari false në instagram me emrin e një vajze dhe lashë një takim me Ramazan Mataj. Ai erdhi dhe aty e qëllova me armë zjarri. Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës. Armën e kam patur në shtëpi prej disa kohësh. Motra ka disa kohë që nuk jeton në banesën tonë, jetonte në Shkodër”.

Tashmë në lojë hyjnë kodet e nderit, tradita dhe kanuni.

Ndër shekuj, gjakmarrja ka qenë një nga fenomenet më të rënda që pavarësisht brezave që po ndryshojnë, sërish vijon të marrë jetë. Në  shumë trevat shqipfolëse ky fenomen vijon të jetë prezent, duke qëndruar kryefortë përballë ligjeve të shtetit.

Sipas të dhënave referuar shoqatës së misionarëve  të paqes dhe pajtimit janë dhjetra familje të ngujuara në të gjithë Shqipërinë.

Pavarësisht se dy persona janë tashmë të burgosur dhe po presin gjykimin, as kjo nuk mjafton.

Dy fiset Mataj dhe Hasaj mbesin në hasmëri me njëri- tjetrin!

Pak ditë pas tragjedisë, në zonën e thellë të Postribës, kryetari i shoqatës së misionarëve të paqes dhe pajtimit të Shqipërisë Dedë Shullani i shkon në konak familjes Hasaj.

Të parët e fisit presin mysafirë te dera ndërsa i fundit në radhë qëndron babai i dy të dyshuarve, kryefamiljari Rrustem Hasaj.

Mjerimi është kryefjalë në atë banesë që çka frynte jashtë, hynte brenda.

“Unë jam në ngujim. Ka qysh ditën që e kam marrë vesh, mas dy ditëve që e kam marr vesh, nëpërmjet mediave, përmes shtetit”, rrëfen kryefamiljari Rrustem Hasaj.

I përulur dhe me peshën e fajit që pothuajse e kishte rrëzuar, Rrustemi rrëfen se nuk dinte asgjë për planin e të birit për të ndërmarrë këtë hap fatal.

Ndonëse nuk kishte marrë asnjë sinjal nga familja tjetër, për respekt të rregullave zakonore, i gjithë fisi ishte ngujuar.

“Unë jam i ngujum, shumë i rënduar nga gjendja ekonomike prandaj i lutem shtetit , i lutem drejtësisë, i lutem popullit që të vejnë dorën në zemër”.

“Nuk kam asnjë lloj dijenie, asnjë lloj çështjeje, po e ka çu Zoti me ndodh, rreziku jem dhe i tij. Kam njoftsi e kam pas shoqni e, kam qenë 8 vjet në një klasë me të. Skena pas mosmarrëveshje kurrë me te as me fisin e tij. As me nji në në katund. Kjo më ka ra bombë në shpi teme”, shton ai.

“Me këtë fatkeqësi që na ka ndodh dy palëve unë e kam ba dhe një deklaratë, i kam kërku ndjesë fshatit, familjes, fisit. Unë sot kam nevojë për shtetin, kam nevojë për individin se m’ka lanë 4 fëmijë, jam pa shpi mbi kry. Jam në gjendje ekonomike shumë të dobët”, rrëfen Rrustem Hasaj.

Kryetari i shoqatës së misionarëve të paqes dhe pajtimit të Shqipërisë Dedë Shullani së bashku me burra të besës në zonë, dëgjojnë rrëfimin e Hasajt.

“Qëllimi jonë ishte me komuniku me familjet që i ka ndodhë fatkeqësia dhe rreziku. Pas një kohe shumë të shpejtë, falenderoj shtetin këtu që një kohë rekord e ka zbuluar krimin dhe ka çuar autorët para përgjegjësisë”, thotë Shullani.

Ai shton se shoqata e tij ka kontaktuar familjen një javë pas incidentit me qëllim që mes dy familjeve, me kalimin e kohës dhe qetësimin e gjendjes, të vendoset një urë komunikimi dhe të shikohen mundësitë që ato të jetojnë në paqe.

“Familja e tij ishte në një gjendje katastrofike, njerëz me probleme ekonomike, pa shpi, pa ekonomi, pa asgja në botë. Ne e intervistuam babën e tij dhe sipas dijenisë së tij, pyetjet që i bamë babës së tij, baba thoshte që nuk kam dijeni për ngjarjen që më kanë kryer fëmija. Ishte I përulun, I mërzitun”, thotë Shullani ndërsa biseda ndërpritet pasi i bie telefoni.

Në shtëpinë e familjes Mataj, babai I të ndjerit me të vëllanë presin mysafirët misionarë të pajtimit. Brenda hynë vetëm pajtuesit ndërsa të tjerë qëndruan jashtë.

Pritja ishte e shkurtër ndërsa mesazhi, në një farë mënyre i koduar.

“Është herët ta falin gjakun, pasi është turpi në mes”.

Familja Hasaj vijon të jetë e ngujuar deri në pritje të lajmeve të reja të pajtimtarëve.

Kjo ngjarje vetëm një pasqyrim i realitetit në trevat shqipfolëse ndërsa nga gjakmarrja nuk kursen as të vegjlit që privohen nga shkolla e nga të qenit fëmijë.

 

Ky artikull është prodhuar me asistencën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e Kallxo.com dhe në asnjë rrethanë nuk mund të shihet si reflektim i qëndrimit të Bashkimit Evropian.