Brenda dy javëve në rajonin e Prishtinës u sekuestron 38 armë zjarri, 10 prej tyre në ahengje familjare

Që nga data 1 gusht deri më sot, Policia e Rajonit të Prishtinës ka sekuestruar 38 armë zjarri, prej të cilave 10 dyshohet të jenë përdorur në ahengje familjare.

Sipas PK-së, njësitë rajonale të Policisë po vazhdojnë punën për parandalimin e përdorimit të armëve të zjarrit nëpër ndeja dhe ahengje, pasi që kjo dukuri është ende prezente.

“Policia e Rajonit të Prishtinës, konform detyrimit ligjor që ka, obligohet që në rastet e tilla të filloj kërkimin për armët e përdorura në rast, të ndaloj kolonat e dasmorëve për t’i kontrolluar dhe ndaj personave të dyshuar në situata të caktuara të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet për raste të tilla” – është thënë në njoftimin e PK-së.

Po ashtu, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve t’u shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre, sigurisë së të tjerëve dhe ceremonitë festive t’i kalojnë pa ndonjë incident.