Brenda dy javësh vendoset për akreditimin e universiteteve e kolegjeve

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi në një intervistë për KALLXO.com ka bërë të ditur se brenda 2 jave do të vendoset për akreditimin institucional të universiteteve dhe kolegjeve private.

Gashi ka bërë të ditur se në procesin e vlerësimit të akreditimit institucional kanë marrë pjesë 14 institucione të arsimit të lartë , 5 publike dhe 9 private.

 Agjencia e Kosovës për Akreditim ka përfunduar vlerësimin e 14 institucioneve të arsimit të lartë, prej tyre 5  universitete publike dhe 9 kolegjeve private. Procesi komplet i vlerësimit ka përfunduar dhe tashmë jemi në pritje të ardhjes së raporteve nga ekspertët ndërkombëtare të cilët do të jenë pjesë e vendimmarrjes me datën 25 qershor dhe 26 qershor në mbledhjen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë”, ka bërë të ditur Gashi.

Tutje, ai ka shtuar se procesi i akreditimit pavarësisht pandemisë, është zhvilluar me sukses nga distanca.

“I gjithë procesi me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është bërë në harmoni me ligjet dhe i gjithë procedura ka qenë identike me vitet e kaluara, në përjashtim të vizitës në institucione, e cila është zhvilluar në distancë përmes programit ZOOM, ku institucionet e arsimit të lartë, duke përfshirë të gjithë aktorët e institucioneve, përfshirë edhe studentët janë intervistuar nga ekspertët ndërkombëtarë”, ka thënë Gashi.

Intervistën e plotë të drejtorit të AKA-së, Naim Gashi mund ta lexoni nesër në KALLXO.com.