Foto: REL/Reuters

Brenda dhjetë dite janë raportuar 11 raste të falsifikimit të testit për COVID-19

Kanë kaluar dhjetë ditë që nga miratimi i masave të reja kudër COVID-19 nga Ministria e Shëndetësisë.

Një nga masat që u miratua është që të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të tregojnë certifikatën e vaksinimit apo testin RT PCR jo më të vjetër se 72 orë.

Që atëherë në Policinë e Kosovës janë raportuar dhe iniciuar gjithsej 11 raste për falsifikim të testeve  PCR COVID-19 dhe një rast tjetër për mos veprim sipas rregullave shëndetësore gjatë pandemisë.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka thënë për KALLXO.com se nga këto raste janë ngritur nëntë kallëzime penale, ndërsa tri raste tjera janë ende nën hetime.

Të njëjtit thanë se gjithsej janë identifikuar 26 persona të dyshuar.

Ata shtuan se 15 prej tyre janë arrestuar ndërsa ndaj 6 personave është vazhduar procedurë e rregullt.

Po ashtu, 5 persona me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në vet izolim.

KALLXO.com para pak ditësh ka raportuar për arrestimin e një personi në Podujevë i cili dyshohet se në një fotokopje lëshonte teste të falsifikuara për COVID-19.