Brenda 24 orëve sekuestrohen shtatë armë në katër raste të ndryshme

Në katër ngjarje të ndryshme, vetëm në 24 orët e fundit Policia e Kosovës hap rast për shtatë armë për të cilat të dyshuarit nuk kishin autorizim.

Kështu është njoftuar në raportin 24 orësh të Policisë, ku është thënë se janë identifikuar katër të dyshuar.

Sipas Policisë, rasti parë është regjistruar më 22 mars rreth orës 23:00.

Policia ka thënë se ngjarja ka ndodhur në rrugën Hajrullah Zymi ku është arrestuar një i dyshuar.

Arrestimi kishte ndodhur pasi gjatë kontrollit në brez dhe në shtëpinë e të dyshuarit Policia ka gjetur dhe sekuestruar dy pistoleta.

I dyshuari thuhet se me vendim të prokurorit, pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Në po të njëjtën rrugë, pra në Hajrullah Zymi në Fushë Kosovë, vetëm gjysmë ore pas rastit të parë, rreth orës 23:30, Policia ka identifikuar të dyshuarin e dytë, të mitur.

Për këtë rast, njësitet policore kishin siguruar fotografi në të cilat i dyshuari shihej me tri pistoleta të llojeve të ndryshme.

Ky i fundit gjatë intervistimit ka deklaruar se nga data 24 dhjetor 2021 kishte blerë tri armët, mirëpo, sipas Policisë, i dyshuari ka thënë se armët i kishte shitur.

I mituri është intervistuar dhe më pas është dërguar në mbajtje.

Gjatë ditës së djeshme, në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 04:00, Policia ka shoqëruar në stacionin  policor dy persona në dy raste të ndryshme.

Të njëjtit dyshohen se kanë poseduar nda dy armë për të cilat, sipas Policisë, nuk kanë pasur leje.

Policia ka thënë se tek dy të dyshuarit kanë gjetur armët gjatë kontrollit dhe se nga katër pistoletat e sekuestruara dy ishin me gaz.

Të dyshuarit, sipas njoftimit të Policisë janë liruar në procedurë të rregullt.