Fotografi te armeve qe jane konfiskuar sot, Foto: KALLXO.com

Brenda 24 orëve Policia sekuestron tri armë pa leje

 

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit ka sekuestruar tri armë pa leje. Dy nga armët janë sekuestruar në ahengje familjare, ndërsa një tjetër në një veturë.

Njëri rast ka ndodhur në Prishtinë në fshatin Sharban.

Policia kishte pranuar informatën dje rreth orës 19:10, se në një aheng familjar kishte të shtëna me armë zjarri, pas daljes në vendin e ngjarjes dhe kontrollit ata kanë gjetur një pushkë automatike AK-47 me karikator dhe 59- gëzhoja të AK-47.

Të njëjtat janë konfiskuar nga Policia, ndërsa i dyshuari me pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Ky nuk është rasti i vetëm që ka ndodhur në Prishtinë, pasi që edhe në rrugën Sylejman Vokshi rreth orës 21:00 është konfiskuar një tjetër armë automatike e tipit AK-47.

Konfiskimi i armës ka ndodhur pasi që Policia kishte pranuar një informatë për një veturë në lëvizje në të cilën ishte ekspozuar një armë automatike.

Njësitet policore janë vënë në kërkim të veturës dhe me ndalimin e saj drejtuesi ka braktisur veturën, ndërsa brenda veturës është gjetur arma.

Sipas njoftimit të Policës rasti është duke u hetuar dhe se prokurori është i informuar për rastin.

Përderisa, rasti tjetër ka ndodhur në fshatin Koshtov të Mitrovicës, ku Policia pasi ka pranuar një informatë se kishte të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar, ka dalur në vendin e ngjarjes dhe ka sekuestruar një armë dhe dy gëzhoja.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 18:00.

I dyshuari ka dorëzuar armën, i cili pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Përderisa, ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtje, posedim, kontroll i paautorizuar i armëve’’ dhe ”Përdorim i armës apo mjetit te rrezikshëm’’.