Ilustrim - Policia në aksion

Brenda 24 orëve, 10 raste me sulme fizike, të përfshirë 9 të dyshuar dhe 13 viktima

Policia e Kosovës (PK) njofton se vetëm gjatë ditës së djeshme janë raportuar dhjetë raste me dhunë fizike.

Në Podujevë siç njofton Policia një person ka ushtruar dhunë ndaj tre familjarëve të tij.

“Viktimat kanë pranuar ndihmë mjekësore. I dyshuari gjendet në arrati”, njofton PK.

Ndërsa në Obiliq është raportuar për dy raste dhunë  në familje.

Në Prizren, sipas Policisë një person ka kërkuar ndihmë mjekësore, pasi dyshohet që është sulmuar fizikisht e më pas edhe me thikë nga një person i pa njohur.

“Viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftim.

Rasti i njëjtë ka ndodhur edhe në Komunën e Suharekës, por sipas Policisë i dyshuari ndodhet në arrati.

PK njofton se në Pejë është arrestuar një person pasi që në ndikim të alkoolit ka sulmuar një person tjetër.

“Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

Ndërsa dhunë në familje ka ndodhur edhe në Malishevë, Vushtrri dhe Zubin Potok.

Në rastin e parë, siç njofton Policia, një grua ka njoftuar se rrahet vazhdimisht nga bashkëshorti i saj.

“Viktima ka pranuar trajtim mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt”, njofton PK.

Në rastin e dytë një grua ka raportuar se vëllai i saj ka tentuar ta sulmoj fizikisht.

Ndërsa në rastin e tretë, në Zubin Potok është arrestuar një person pasi që ka shkaktuar dhunë fizike ndaj gruas së tij

Një rast tjetër është raportuar në Gjakovë, ku janë rrahur dy vajza mes veti.

“Të njëjtat janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet ndër të tjera.